Vazhdimi i tretë për Tokën e Shenjtë: Lotët e Jusuf Ferizit për Jerusalemin

E publikuar: 17/12/2017 03:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në momentin që u rehatova në autobus, me të vetmen ngarkesë çantën e shpinës, në të cilën llap topi shtrydhej padrejtësisht nga dhjetëra rraqe të tjera që e kishin zënë hapësirën e tij, unë fillova të mendoja se kur duhet të ketë qenë koha që unë kam dëgjuar për herë të parë për Mekën e të tri  besimeve monoteiste, Jerusalmin, qytetin ku Abrahami pranoi ta bënte fli djalin e tij Izakun, vendin ku Jezusi u rrah e u kryqëzua barbarisht, ku profeti Muhamed u ngrit në qiell në natën e tij të rrugëtimit – ku Presidenti Donald Trump vendosi ta rihapë nga e para varrën që kurrë nuk u mbyll krejtësisht.

I kujtoj pamjet televizive në të cilat shiheshin qindra të rinj palestinezë duke hedhur gurë në drejtim të forcave të shumta policore irzaelite, të cilat si kusur iu kthenin këtyre gaz lotsjellës, e në raste të ndryshme edhe plumba. Kjo ndoshta është fotografia e parë e dhunës që është memorizuar pashlyeshëm në kokën time. Djem të korpulent të veshur me jeans’a, me fytyrën e mbuluar me një shami të bardhë me pika, herë duke vrapuar në drejtim të policisë e herë duke ikur nga policia. Aty afër tyre rëndom ishte edhe ndonjë veturë, a ndonjë kontenier, e përfshirë nga flakët.

Këto pamje i komentonte pothuajse në çdo mbrëmje gazetari i RTP’së Jusuf Ferizi. Në fakt më shumë qante se sa raportonte nga Lindja e Mesme. Duke dënesur e vajtonte çdo gur të Jerusalemit. Tregonte për dhunën sistematike dhe disproporcionale të forcave izraelite kundër palestinezëve.

Në atë kohë, kur Ferizi ishte reporter lufte, politika jugosllave, politika e Titos, ishte pro arabe, pro palestineze, pro Yasser Arafat. Në Kosovë, nga Jusufi dhe jusufët, një situatë e tillë kontrabandohej gjoja si një trimeri për një solidaritet kulturor – për shkak të religjionit. Mirëpo afërsia e Jusufit, e as afërsia e RTP’së, me palestinezët nuk i kishin rrënjët te religjioni. Rrënjët i kishin në Beograd, respektivisht të burimet e naftës në Lindje të Mesme, të cilat burime Jugosllavia i thithte me çmim të lirë.

Në atë kohë dinamika e ngjarjeve në botë nuk ishte sikur sot. Ose ndoshta edhe ka qenë, mirëpo mundësia e raportimit të mediave nuk ishte sikur që është sot, që ta zëmë nga bota të sillen për shikuesit dhe për lexuesit qindra informacione në një kohë të shkurtë. Stacionet televizive, që ishin më të pakta, i mbulonin vetëm pikat më të ndjeshme, siç ishte lufta Irak – Iran, konflikti i hebrenjve me arabët, lufta në Liban, konflikti në Libi, e tek tuk edhe ndonjë zhvillim në Irlandë. Mirëpo përgjithësisht ishte Lindja e Mesme.

Kështu, në linjë me disponimin jugosllav ishin edhe mediat e Kosovës, ato shtetërore, si RTP dhe Rilindja. Këto më shumë derdhnin lot, më shumë raportonin për protestat Lindje të Mesme, për përgjakjen e rrugëve të Jerusalemit, se sa ta zëmë për protestat e vitit 1981 dhe për vrasjet që ndodhnin në Prishtinë dhe në Kosovë.

Ngjarjet që zhvilloheshin atje, ishin si të thuash një luftë e jona e brendshme, që po zhvillohej në një territor të huaj. Edhe gjyshet tona të pashkolluara e njihnin Yasser Arafatin, për shkak të pamjes së tij revolucionare, gati profetike.

“Moti osht qeky”, brohoritej një zëri prej grave, por edhe prej burrave, sa herë që Arafatt shfaqej në ekran, duke takuar burrështetas të huaj. Burrat bënin gjoja si më të ditur nga gratë kur ishte fjala për probleme globale. Kohë pas kohë dëgjohej ndonjëri prej tyre tek thoshte “le se nuk e njeh ti”.

“E për çka po luftojnë pra?”, pasonte edhe ndonjë pyetje për burrat kompetent.

Çile guri gojën.

Krejt në fund të viteve të 80’ta, e fare në fillim të viteve të 90’ta, për shkak të aparteidit në Kosovë, na kishte rënë pak volumi i interesimit për t’i përcjellë ngjarjet nëpër botë. U bëmë vetë ngjarje botërore. Nuk jam shumë i sigurt nëse tash arabët po na përcjellin vuajtjet tona me kuriozitetin dhe dhimbjen që i kishim përcjell ne ato të tyret.

Mirëpo kur çdo gjë u rrënua në Kosovë, kur për një kohë relativisht të gjatë ne u sistemuam në mënyrë komode nën pushtim, ne u kthyem të loja me letra, te shahu, te çaji, të netët e gjata dhe të kota, ku gjenim kohë të mjaftueshme të interesoheshim për hallet e të tjerëve, më shumë se për tonat. Na preokuponte lufta në Çeçeni, ajo në Bosnje, e kuptohet, gjenim vend edhe për nënën e të gjithë problemeve, Lindjen e Mesme, ku kishin filluar të shndrisnin ca shkëndija shprese për një paqe.

Me ndërmjetësimin e Presidentit të ri dhe ambicioz të Amerikës, Bill Clinton, në Oslo, ishte arritur një paqe historike, ose ishte thënë se ishte arritur një e tillë, në mes arabëve dhe palestinezëve, madje për këtë ishte ndarë edhe një çmim Nobel për paqe, i cili ka mundësi të përfundojë në histori si çmimi që edhe mund të mos ishte ndarë fare.

Paqja që u duk e afërt, në të ashtuquajturën marrëveshje e Oslos, u vra ditën kur një student radikal hebre e kreu një atentat kundër Kryeministrit konstruktiv të Izraelit Yitzhak Rabin, duke e komplikuar nga e para të gjithë ngjarjen.

Tek e fundit, pse duhej të besohej që do të zgjidhej me një nënshkrim një problem që nuk po mund të zgjidhej tash e dymijë vjet?

Nëse Mosbesimi do të kishte një kryeqytet ai padyshim do të ishte Jerusalemi. Aty, askush, askujt, nuk i beson që një kohë të gjatë. Mirëpo, ironikisht, Jerusalemi mund të jetë edhe kryeqytet i Besimit. Janë dy miliardë njerëz që besojnë në këtë qytet.

Njerëzit, kur është në pyetje Jerusalemi, besojnë në të kaluarën, e jo në të tashmen, besojnë në njerëz të vdekur, e jo në ata që janë të gjallë.

Kur aq shumë ke parë, ke lexuar, e ke dëgjuar, për këtë qytet e për këta njerëz, kur gjendesh në vendin e ngjarjes, e gjitha të duket pak sureale. Është pak a shumë sikur jehona e zërit. Shumë më dramatike tingëllon në kodrën tjetër, se sa nëse gjendesh pranë burimit të zërit.

Gati dëshpërohesh me pamjet e njerëzve që udhëtojnë me ty në autobus. Ca hallexhinj të lodhur të kësaj bote që rendin pas punëve të tyre. Asgjë biblike nuk ka te ata, anipse shtëpinë mund ta kenë shpinë për shpine me Xhaminë e Al Aksas, a Kishën e Kryqëzimit të Krishtit, a Tempullin e Davidit.

Për më tepër ata as nuk duket që mendojnë për vete që janë më të vlefshëm e as më ndryshe se sa një eskimez, një suedez a një, tek e fundit, shqiptar, e nuk duket që as janë të vetëdijshëm se sa e rëndësishme është jeta e tyre, në kontekst global, e as e parëndësishme është ajo në atë lokal.

Unë po udhëtoja ngjitur me burra e gra, që nuk e dija në ishin arabë a hebrenj, të krishterë a myslimanë, por që ndoshta sot, ndoshta nesër, ndoshta në javët a vitet në vijim, do t’i shoh, por nuk do t’i njoh, duke qenë befasisht të rëndësishëm, gati të shenjtë, ose krejtësisht të shenjtë, për hebrenjtë, të krishterët, ose myslimanët, qoftë si viktima, qoftë si heronj, ose të dyjat në një, varësisht se kënd e pyet. Kur për ta do të reagojë Këshilli i Sigurimit, Shtëpia e Bardhë, Brukseli e Moska. Pas këtyre reagimeve jeta e tyre ose e familjeve të tyre do të vazhdojë të jetë po kaq e komplikuar. Po të ishte për reagimet e bëra nga e gjithë bota, po të ishte për lutjet e bëra për ta, Lindja e Mesme sot, për nga paqja dhe dashuria, do t’i përngjante parajsës në tokë.

(Vijon)