Varoufukasi i shqetësuar, shkon në Washington, skadon afati i kredisë

E publikuar: 05/04/2015 13:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Edhe pak ditë dhe Greqia do të njohë fatin e saj. Të enjten, në 9 prill skadon edhe afati i huasë prej 450 milionë Eurosh të dhënë prej Fondit Monetar Ndërkombëtar. Hesht kryeministri Alexis Tsipras, pasi “burime të qeverisë” kanë dhënë siguri për respektim të angazhimeve.

Ndërkohë që këtë të dielë Pashkësh është nisur drejt Uashingtonit Ministri i Financave, Janis Varoufakis, për t’u takuar me Numrin NJë të FMN-së, Christine Lagarde. Sipas Reuters, takimi i paparashikuar për Pashkë përshkruhet në Athinë si një “bisedë joformale për të folur në lidhje me planin grek të reformave”

Qeveria bën të ditur se ka besim se do të përballojë të gjithë detyrimet e saj financiare që skadojnë të enjten e ardhshme, duke nisur nga pensionet dhe pagat e deri tek punonjësit publikë.

“Gjithca që do të duhet të paguhet javën e ardhshme, do të paguhet”, ka pohuar një burim qeveritar për agjencinë ndërkombëtare. Gjë që konfirmohet edhe nga zëvendësi i Varoufakisit, Dimitris Mardas, në një intervistë për Mega TV.

Përvec huasë së FMN-së, janë për t’u paguar edhe pensionet dhe pagat e punonjësve publikë. Dhe ka një transh prej 250 milionë Eurosh interesa që skadojnë në fund të muajit, përvec rifinancimit të bonove që skadojnë në 13 dhe 17 prill, në një total prej 2.4 miliardë Euro.