Van Gaal tërhiqet: Nuk do të bëj më trajnerin

E publikuar: 17/01/2017 13:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

26 vite të mbushura me suksese por edhe me dështime. Karriera e një prej trajnerëve më revolucionarë të futbollit ka prekur finishin. Louis Van Gaal largohet përfundimisht nga bota e trajningut duke mbyllur një cikël të gjatë në moshën 65-vjeçare. Ndalesa e fundit e trajnerit holandez ishte ajo në stolin e Manchester United ku dështoi për të ringritur skuadrën pas largimit të Sir Alex Ferguson edhe pse në Maj të vitit 2016 arriti të koleksiononte trofeun e FA Cup. “Planifikova fillimisht një vit pushim pasi mendoja se do të rikthehesha por tashmë besoj se nuk do të rikthehem më në një pankinë për të drejtuar një skuadër”, shprehet Van Gaal, i cili ka drejtuar Ajaxin, Barcelonën, Bayernin e Mynihut dhe Kombëtaren e Holandës në karrierën e tij të gjatë çerekshekullore. Vendimin e tërheqjes përfundimtare, Van Gaal e bëri gjatë një ceremonie të organizuar nga Qeveria e Holandës në nder të tij për arritjet në futboll. Vendimi i tij lidhet pjesërisht me çështje private pas largimit nga jeta të bashkëshortit të vajzës së tij. Van Gaal është një nga njerëzit më të suksesshëm të 3 dekadave të fundit në futbollin europian, ndërsa gjatë muajve të fundit nuk kanë munguar ofertat joshëse në adresë të tij. Van Gaal e nisi karrierën në futboll si mbrojtës në radhët e AZ Alkmaar në vitin 1972 dhe 5 sezone më pas u transferua te Ajax. Në të njëjtën skuadër u emërua trajner në vitin 1991 duke hapur një cikël suksesesh me 3 tituj, 1 Kupë UEFA, 1 Champions League dhe rritjen e një brezi të madh talentesh në akademinë më të famshme të asaj kohe. Me Barcelonën u shpall dy herë kampion dhe fitoi një Kupë Mbreti, ndërsa në drejtimin e Holandës ashtu si në stolin e Barcelonës u ul disa herë. Fitoi gjithashtu njw titull kampion në Gjermani me Bayernin e Mynihut, ndërsa “Tulipanët” i udhëhoqi edhe në Botërorin e Brazilit ku arriti t’i kualifikonte deri në gjysmëfinale por më pas me emërimin te Manchester United nuk arriti të shkëlqente duke i dhënë fund një karriere të gjatë por që do të lejë shenjë në historinë e futbollit modern./supersport.al/