Valon Behrami e merr Gani Sejdiun në Udinese që të shikojë nga afër punën e klubit italian

E publikuar: 15/01/2018 18:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Trajneri Gani Sejdiu në sezonin vjeshtor punoi me Feronikelin dhe Trepçën ’89, por tash vazhdon të jetë trajner i lirë.

Ai për “Epokën e re” ka thënë se në muajin e ardhshëm do të shkojë në Itali për ta parë nga afër punën që e bën skuadra e Udineses.

Këtë mundësi Sejdiut ia ka ofruar futbollisti i njohur shqiptar Valon Behrami, i cili është pjesë e kësaj skuadre.

“Jam trajner i lirë dhe nuk dëshiroj ta humbi kohën kot. Duke iu falënderuar futbollistit Valon Behrami, në mesin e muajit shkurt do të shkoj në Itali te skuadra e Udineses, ku do të qëndroj dhjetë ditë”.

Sejdiu ka udhëhequr klube si Trepça ’89, Trepça. Besa e Feronikeli

“Atje do t’i përcjell stërvitjet e këtij klubi dhe dua të pasurohem edhe me disa materiale shtesë për rolin e trajnerit”.

“Aty do t’i shoh edhe përgatitjet që i bën Udinese nga loja në lojë dhe të marrë informata më të plota për stërvitjet”, ka thënë Sejdiu.

Valon Behrami këtë sezon është kthyerm në Serie A te Udinese (Photo by Tullio M. Puglia/Getty Images)

“Nuk diskutohet se ne trajnerët në Kosovë kemi nevojë të madhe që të marrim përvoja të reja nga klubet ndërkombëtare. Për mua personalisht është privilegj që do ta kam mundësinë ta shoh nga afër punën që e bën një klub siç është Udinese në ligë aq të fortë sa është ajo e Serisë A”, ka deklaruar Sejdiu.

Ai më parë ka qenë edhe te klubi i Baselit ku ka qëndruar për disa ditë për t’i parë nga afër stërvitjet e këtij klubi.