Valencia-Sevilla, pak emocione dhe asnjë gol në “Mestalla”

E publikuar: 16/04/2017 19:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një barazim që në fund të 90 minutëshit nuk lë të pakënaqur asnjë prej skuadrave. Valencia dhe Sevilla ndajnë nga 1 pikë në sfidën e javës së 32-të të Primera Division ku më shumë se spektakli, dominoi loja e kujdesshme dhe dëshira për të mos pësuar. Në “Mestalla” skuadra vendase mori më shumë inisiativën dhe që në minutën e 13 Fabian Orellana dha shkëndijën e parë, ndërsa Jovetic replikoi pak minuta më vonë. Pjesa e parë nuk dhuroi shumë emocione dhe në të dytën, Sergio Escudero rrezikoi sërish për Sevillan por pa arritur të shënonte nga goditja e dënimit. Në të 69-ën, Sergio Rico bëri mrekullinë duke merituar duartrokitjet e publikut pasi bllokoi një finalizim të rrezikshëm të sulmuesit italian Simone Zaza.

Sërish bomberi italian 16 minuta nga fundi por goli i tij rezultoi i parregullt për shkak të pozicionit jashtë loje. Pak emocione deri në fund dhe një barazim pa gola që konfirmon Sevillan forcë e katërt në Primera Division. Skuadra Andaluziane shkon në kuotën e 62 pikëve, 3 më pak se Atletico Madrid, ndërsa Valencia mbetet në mesin e artë të klasifikimit me 40 pikë.