Vala, 50 mijë numra falas për bashkëatdhetarët

E publikuar: 02/07/2015 16:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Operatori publik Vala, i është bashkëngjitur fushatës së Ministrisë së Diasporës së Qeverisë së Kosovës, “Ti je pjesë e Atdheut”, qëllimi i së cilës është krijimi i lehtësirave për bashkëatdhetarët.

Vala ka rezervuar 50 mijë numra falas për bashkëatdhetarët, numra të cilët do të kenë vlefshmëri edhe një vit, kur i njëjti qytetar me të njëjtin numër rikthehet sërish në Kosovë.

Qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit,  tani e tutje, nuk do t’iu duhet t’i hedhin në shportë numrat e telefonit, SIM Kartelat, për mungesë afati vlefshmërie, pasi operatori publik Vala, do t’ia mundësojë atyre që të përdorin të njëjtët numra edhe kur të rikthehen në Kosovë pas një viti.

Rritja e afatit të vlefshmërisë të SIM Kartelave për bashkëatdhetarët, është vetëm një prej përfitimeve që Vala këtë vit parasheh të ofrojë për këtë kategori, pasi vendosi t’i bashkohet së bashku me Postën e Kosovës, fushatës së Ministrisë së Diasporës me moton “Ti je pjesë e Atdheut”.

Vala do të ofrojë 50 mijë numra falas për bashkëatdhetarët, numra të cilët do të përmbajnë  500 megabajt internet të shpejtë 3G e 4G, 30 minuta në rrjetin Vala dhe në numrat fiks dhe 100 SMS. Pakoja quhet Diaspora.

Të gjitha këto përfitime për bashkëatdhetarët u bën realitet përmes një Marrëveshje Mirëkuptimi të nënshkruar mes Ministrisë së Diasporës, Vala-s dhe Postës së Kosovës.

Marrëveshja gjithashtu parasheh që Vala dhe Posta e Kosovës të ndihmojnë në fushatën për regjistrimin e mërgimtarëve, duke vënë gjithë infrastrukturën e tyre në funksion të regjistrimit të bashkëatdhetarëve.

“Vala dhe Posta e Kosovës do të vënë në dispozicion të mërgimtarëve gjithë rrjetin e objekteve të tyre, ku mërgimtarët do të mund të gjejnë formularët për regjistrim. Bashkë me formualarët, do të shpërndahen edhe SIM-kartela falas, ndërsa PTK do të kontribuojë edhe në fushatën `Ti je pjesë e atdheut’, për informimin e mërgimtarëve për regjistrimin e tyre”, tha ministri i Diasporës, Valon Murati.

Drejtori Manaxhues i PTK-së, Agron Mustafa, pasi potencoi se kompania që ai drejton ka vënë në dispozicion 50 mijë numra për bashkëatdhetarët,  sqaroi se këta numra do të jenë të veçantë në krahasim me të tjerët.

“Problemi i secilit bashkëatdhetar për vite të tëra ka qenë fakti se i është dashur të ndërrojnë numrin sa herë kanë ardhur në Kosovë. Kjo për shkak se numrat apo SIM-kartelat kanë një afat të kufizuar vlefshmërie dhe deaktivizohen nëse nuk rimbushen. Kartelat që do të dhurojmë dhe që parashihet të jenë vetëm për bashkëatdhetarët do të kenë afat vlefshmërie 1 vit, që do të thotë se numri i njëjtë i telefonit mund të përdoret edhe vitin tjetër”, deklaroi Drejtori Menaxhues, Agron Mustafa.

Ndërsa Shefqet Avdija, zv.kryeshef i Postës së Kosovës tha se bashkëatdhetarët do të kenë në dispozicion tërë infrastrukturën e nevojshme dhe shërbime të tjera, që do t’ua lehtësojnë bashkëtdhetarëve qëndrimin në Kosovë.

Operatori publik Vala pritet të ofrojë produkte të tjera për bashkëatdhetarët gjatë këtij sezoni veror.