Vaksina kundër fruthit nuk shkakton autizmin te fëmijët

E publikuar: 06/03/2019 22:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një studim i rëndësishëm i bërë nga disa mjekë në Danimarkë hodhi poshtë teorinë sipas së cilës aplikimi i kësaj vaksine tek fëmijët shkakton autizmin

Shumë prindër kanë refuzuar që fëmijët e tyre të marrin vaksinën e ashtuquajtur MMR, për shkak se besojnë që kjo vaksinë rrit rrezikun e autizmit. Kjo teori u dha nga Dr.Andrew Wakefield para 20 viteve, dhe ka lënë shenjë ende tek njerëzit.

Refuzimi i prindërve për këtë vaksinë ka qenë një ndër çështjet më të diskutuara në fushën e shëndetësisë, sidomos gjatë vitit 2017 dhe është shpallur një nga 10 problemet aktuale nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Studimi u bë me 647,461 foshnje të lindura në vitin 1999, të cilat u  vëzhguan deri kur ata u bënë  mesatarisht 8.6 vjeç. Shumica e këtyre fëmijëve e morën këtë vaksinë, kurse vetëm 5% e tyre e refuzuan. Rezultatet treguan që 1 në 100 fëmijë u diagnostikuan me autizëm, zakonisht gjatë moshës 7 vjeçare. Hulumtuesit pastaj krahasuan këto rezultate dhe erdhën në përfundim që nuk ka një lidhje në mes të autizmit dhe fëmijëve të vaksinuar. “Ajo çfarë vërejtëm ishte që fëmijët të cilët kishin një vëlla apo motër me autizëm ishin më të prirë të vuajnë edhe vet nga ky çrregullim,” tha një ndër udhëheqësit e këtyre studimeve – shkruan Nytimes, transmeton Gazeta Express.

Këto hulumtime konfirmojnë edhe një herë që kjo vaksinë nuk e rrit rrezikun e autizmit, duke u bërë thirrje prindërve që të mos refuzojnë aplikimin e kësaj vaksine tek fëmijët e tyre./Gazeta Express