“Ushtria formohet në dhjetor”

E publikuar: 30/11/2018 11:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim komandantin e ri të KFOR-it në Kosovë, Lorenzo D’Addario. Veseli e ka njoftuar komandantin e ri të KFOR-it për hapat përfundimtarë që do të ndërmarrë Kuvendi i Republikës së Kosovës gjatë muajit dhjetor për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura.
Në këtë takim, kryeparlamentari Veseli dhe komandanti i ri i KFOR-it kanë diskutuar për bashkëpunimin ndërmjet forcave të NATO-s në Kosovë dhe institucioneve kosovare.

Komandanti i ri i KFOR-it, D’Addario, e ka njoftuar kryeparlamentarin Veseli për gjendjen e sigurisë në Kosovë e cila është e qetë dhe stabile, ndërsa theksoi se KFOR-i ka bashkëpunim të ngushtë me të gjitha institucionet e sigurisë në Kosovë.

Ata kanë diskutuar për zhvillimet politike dhe të sigurisë në vend dhe për të arriturat e shtetit të Kosovës në të gjitha fushat. Veseli e ka njoftuar komandantin e ri të KFOR-it për hapat përfundimtarë që do të ndërmarrë Kuvendi i Republikës së Kosovës gjatë muajit dhjetor për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura.

Veseli tha me këtë rast se Forcat e Armatosura të Kosovës do të jenë një forcë e përgatitur mirë, multietnike dhe aleate e denjë e NATO-s për të ofruar paqe në gjithë rajonin dhe më gjerë.