Ushtarja kosovare që fitoi “Shpatën Ndërkombëtare”: Ua dedikoj fëmijëve të vrarë

E publikuar: 19/04/2021 18:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nëntogerja e FSK-së, Ilirianë Bunjaku, ditë më parë është shpallur kadetja më e mirë ndërkombëtare.Ajo ka marrë çmimin e “Shpatës Ndërkombëtare” të cilin e jep Akademia Mbretërore Ushtarake në Sandhurst të Mbretërisë së Bashkuar.

Bunjaku ka thënë se me këtë rast i është shpërblyer puna dhe përkushtimi, njofton Klan Kosova.“Motivi ka qenë mjaft i madh që ta përfaqësoja shtetin tim. Puna shpërblehet. Të qëndruarit natë e ditë pa gjumë me gjitha peripecitë dhe sfidat gjithmonë shpërblehet.

Kam punuar fortë që ta marrë shpatën”, është shprehur ajo.Këtë çmim Bunjaku ka thënë se e dedikon për të gjithë të rënët për lirinë e Kosovës.“Ua dedikoj të gjithë ushtarëve të rënë – më së shumti është dedikim për fëmijët e vrarë në luftën”.Në këtë garë ku ajo ka dalë triumfuese, thekson se konkurrenca ka qenë e madhe.“Kanë qenë 26 kadetë nga shtete të ndryshme si Kolumbia, Ukraina dhe shumë shtete tjera.

Nga 13 shtete që janë pjesë në akademinë ushtarake u ndjeva shumë mirë që shteti im tregoi se mund të jemi të parë. Është çmim shumë i rëndësishëm shtetin tim dhe për mua”.Në edicionin e Orës së Pasditës ajo ka treguar se pjesë e FSK-së është nga viti 2015.

“Kam përfunduar Akademinë Ushtarake në Kosovë. Dëshira ta mbroj sovranitetin dhe të jem pjesë e ushtrisë… e kam pasë nga fëmijëria. Babai im ka qenë pjesë e luftës”.“Akademia Ushtarake në Kosovë të trajnon aq mirë dhe ka instruktorë të fortë që gjithmonë të trajnojnë në mënyrat më të mira. Ata më kanë dhënë motiv të jem pjesë e akademisë ushtarake në Angli”.