Urgjenca morale për shëndetin mendor

E publikuar: 17/11/2017 13:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nëse mund të ndalojmë vuajtjen e madhe pa kosto për veten, atëherë duhet ta bëjmë. Ky parim është gjerësisht i pranuar dhe i vështirë për t’u kundërshtuar. Megjithatë, qeveritë perëndimore po e shpërfillin mundësinë për të pakësuar mjerimin e shkaktuar nga sëmundja mendore, edhe pse kostoja neto do të ishte zero.

Prova për këtë pretendim vjen nga kërkimi i fundit i një skuadre ekonomistësh në Shkollën e Ekonomiksit në Londër. Skuadra, e drejtuar nga Richard Layard, mori të dhëna nga katër shtete të mëdha të zhvilluara si Australia, Britania, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara, ku njerëzve iu kërkua të renditin nga 0 te 10 kënaqësinë që kishin me jetën e tyre.

Kërkuesit i referohen atyre që janë në 10 për qindëshin e fundit të popullatës për nga kënaqësia në jetë, si në mjerim. Pjesëmarrësit në studim iu përgjigjën edhe pyetjeve të tjera të projektuara për të zbuluar faktorët që prekin kënaqësinë në jetë.
Kur skuadra e Layard analizoi rezultatet, ata zbuluan se faktorët më të mëdhenj që ndikojnë mjerimin ishin të gjitha jo-ekonomike: shëndeti mendor, shëndeti fizik dhe nëse dikush kishte apo jo një partner. Shëndeti mendor kishte ndikimin më të madh nga të gjitha; ai shpjegonte dyfishin e ndryshimit mes njerëzve për kënaqësinë në jetë se sa pabarazia e të ardhurave apo shëndeti fizik. (Kjo ishte gjithashtu e vërtetë për ata që janë në 90% jo-mizerabël të popullatës).

Në përgjithësi, kërkuesit pretendojnë se eliminimi i depresionit dhe ankthit do të ulte mjerimin me 20%, ndërsa eliminimi i varfërisë do ta ulte atë me vetëm 5%. Nëse duam të pakësojmë mjerimin në botën e zhvilluar, atëherë shëndeti mendor është sfida më e madhe që duhet të tejkalojmë.

Shumë njerëz mund të befasohen nga rezultati. Në fund të fundit, që të gjithë presim të bëhemi më të lumtur nëse pasurohemi. Pse është shëndeti mendor dhe jo varfëria, shkaku më i madh i mjerimit?

Përgjigjja është se njerëzit përshtaten me nivelin më të lartë të të ardhurave me kalimin e kohës – një fenomen i njohur si “përshtatja hedonike” – dhe i krahasojnë të ardhurat e tyre me ata që njohin. Kjo i jep shkas atij që njihet si paradoksi isterlin, sipas të cilit megjithëse njerëzit më të pasur janë më të kënaqur me jetën e tyre se të varfërit, zhvillimi ekonomik shpesh nuk e rrit kënaqësinë me jetën në përgjithësi në botën e zhvilluar. Nëse fqinji juaj bëhet më i pasur, ju ndiheni më i varfër. Nëse që të dy bëheni më të pasur, asnjëri prej jush nuk do të ndihet më i lumtur. Përkundrazi, njerëzit nuk përshtaten me shëndetin e ulët mendor; as mjerimi i fqinjit tuaj nuk ju bën të ndiheni më mirë.

Duke qenë se shëndeti mendor ka ndikimin më të madh në kënaqësinë në jetë, duhet të shohim nëse zgjidhja e tij është mënyra më efektive për nga kostoja që qeveritë të pakësojnë mjerimin. Layard dhe kolegët e tij pyetën se sa shpenzon qeveria britanike për shëndetin mendor, shëndetin fizik, papunësinë ose varfërinë. Ata arritën në përfundim se shëndeti mendor ishte më i liri nga të katërt: rreth 18 herë më shumë efektiv për nga kostoja në pakësimin e mjerimit dhe shtimin e lumturisë sesa zgjidhja e varfërisë.

Në Mbretërinë e Bashkuar, kushton rreth 650 paund për pacient dhënia e psikoterapisë, që është efektive për rreth 50% të pacientëve. Kjo shifër tregon se sa shumë do të duhej qeveritë të shpenzonin, por nuk llogarit atë që ata mund të marrin mbrapsht.
Pakësimi i sëmundjeve mendore i jep mundësinë njerëzve të kthehen në punë, duke pakësuar kështu koston e përfitimeve të papunësisë ndërsa rriten fitimet nga taksat. Ndaj Layard dhe kolegët e tij hipotetizuan se trajtimi i shëndetit mendor do të shlyente veten. Në realitet, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar do të mund të pakësonte mjerimin pa kosto.

Kërkime të tjera ekonomike, këtë herë nga Paul Frijters dhe kolegët e tij, kanë vlerësuar tashmë ndikimin e programit të Aksesit në Terapi Psikologjike të Britanisë, një skemë e krijuar nga Layard dhe psikologu David Clark, lançuar në vitin 2008. Ata arrijnë në përfundimin se shtimi i taksapaguesve dhe pakësimi i papunësisë sjell përfitime vetëm 20% të kostos së trajtimit të sëmundjes mendore. Megjithatë, ata argumentojnë se trajtimi i shëndetit mendor financon gjithsesi veten sepse ata që marrin psikoterapi kërkojnë më pak shërbime për shëndetin fizik.

Në realitet, Mbretëria e Bashkuar nuk e tkurri buxhetin e saj në shëndet. Efekti i trajtimit të shëndetit mendor ishte lirimi i burimeve të tjera që ishin përdorur për pacientë të tjerë. Por ky efekt ishte shumë thelbësor sa Frijters pretendon se mund ta çojmë trajtimin te i gjithë 12% i popullatës britanike që ka ankth apo depresion të moderuar dhe të presim që investimi të shlyhet vetë në kursime, në jo më shumë se dy apo tre vite.

Sjelljet kundrejt shëndetit mendor kanë ndryshuar dramatikisht në këto vitet e fundit; edhe princët dhe atletët janë tashmë më të hapur ndaj tij. Në Mbretërinë e Bashkuar, një studim tregoi se sëmundjet mendore prekin një në katër persona çdo vit, ndërsa kërkimi i bërë në 30 shtete europiane zbuloi se 38% e popullatës vuante nga një lloj sëmundje mendore apo neurologjike. Çfarë nuk kuptohet është se kjo vuajtje është gjerësisht e shmangshme.

Qeveritë po fillojnë ta shohin shëndetin mendor si diçka po aq serioze sa shëndeti fizik. Por ato kanë ende shumë për të bërë. Shtimi i shpenzimeve të tyre për shëndetin mendor mund të pakësojë një sasi të madhe mjerimi dhe pa kosto në kuptim afatgjatë.
Sigurisht, disa sëmundje mendore janë më të vështira për t’u mjekuar se depresioni apo ankthi i moderuar dhe në një pikë shpenzimi më i lartë mund të mos e shlyejë veten. Por deri sa të arrihet ajo pikë, duhet të biem të gjithë dakord në urgjencën morale të zgjerimit radikal të financimit për shëndetin mendor.

/Michael Plant, Peter Singer 

/ Project Syndicate