UP-ja mbanë tryezë diskutimi me përfaqësues të tregut të punës

E publikuar: 09/10/2019 17:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” sot organizoi tryezë të diskutimit me titull “Fuqizimi i mundësive të punësimit për studentët dhe të diplomuarit e Universitetit të Prishtinës”. Gjatë kësaj tryeze me përfaqësues nga biznese dhe institucione nga fusha e teknologjisë se informacionit dhe komunikimit, u diskutua për zhvillimin e shkathtësive të studentëve tanë në TIK.

Hapjen e tryezës e bëri i pari i UP-së, rektori, prof. dr. Marjan Dema. Ai falënderoj përfaqësuesit nga bizneset që iu përgjigjen pozitivisht thirrjes së UP-së për të diskutuar për temën e ndërlidhjes se studimeve me nevojat e tyre, temë me rendësi për të dyja palët pjesëmarrëse në këtë takim.
“UP-ja gjithë veprimtarinë e saj e kryen duke u bazuar në vlerat themelore të arsimit të lartë, ku ndër to hyn edhe përgjegjësia sociale. Ne kemi punuar fuqishëm që të krijojmë ura të bashkëpunimit me institucione publike dhe kompani private që vërtet universiteti të jetë bashkë me komunitetin për ndryshime pozitive në vend” tha Dema.

Punimet e tryezës së diskutimit i përshëndeti edhe prorektorja për zhvillim dhe cilësi në UP, prof. asoc. dr. Merita Berisha. Ajo foli për punën që UP-ja ka bërë në vazhdimësi për ndërlidhje të studimeve me nevojat e tregut, ku përmendi edhe themelimin e trupave këshillëdhënëse në kuadër të njësive akademike të UP-së.
“Ne ju falënderojmë që i jeni bashkuar sot këtij diskutimi për të ndarë me ne sugjerimet e juaja, të cilat ne do t’i shqyrtojmë dhe t’i fusim në kuadër të politikave tona” tha prorektorja.

Në cilësinë e moderueses së tryezës foli edhe znj. Vjollca Çavolli, njëherësh drejtoreshë ekzekutive e Shoqatës për Teknologji të Informacionit dhe të Komunikimit të Kosovës (STIIK), e cila tha që është nder dhe kënaqësi pjesëmarrja në këtë tryezë të organizuar nga UP-ja.
“Prezenca juaj në këtë projekt, që ka për qëllim ngritjen e kapaciteteve të studentëve dhe cilësinë e studimeve në UP, me qëllim punësushmerinë e tyre në kompanitë vendore apo të jashtme, do ndikoj që në të ardhmen të kemi më shumë të rinj të punësueshëm” tha Çavolli.

Në anën tjetër, z. Ermal Sadiku, përfaqësues i kompanisë Linkplus, ndër të tjerash konstatoi që problemi i studentëve të papërgatitur për punë rrjedh qysh nga fillimi i shkollimit të tyre në nivelin fillor dhe të mesëm, e pastaj trashëgohet edhe në studimet e larta.

Tryeza e mbajtur sot është e treta me radhë në kuadër të ciklit të tryezave të diskutimit që UP-ja po mbanë me qëllim ndërlidhjen e studimeve me kërkesat e tregut./Infosot/