UNDP vlerëson punën e ministres Reshitaj, premton mbështetje për mjedisin

E publikuar: 17/07/2018 15:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, priti në një takim pune koordinatoren e OKB-së për Zhvillim dhe Përfaqësuesen e Përhershme të UNDP-së, Ulrika Richardson.

Në këtë takim të parë njoftues me përfaqësuesen nga UNDP, Reshitaj diskutoi për vazhdimin e bashkëpunimit dhe e informoi për hapat e ndërmarra në fuqizimin e mbrojtjes së mjedisit dhe planifikimit hapësinor, thuhet në komunikatën e MMPH-së.

Ajo e uroi Richardson për marrjen e detyrës si Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së, dhe shprehu falënderimet për përkrahjen e vazhdueshme që ky mision po ia jep Kosovës në projekte të ndryshme në fushën e mjedisit dhe menaxhimit të ujërave.

“Shikuar nga këndi mjedisor, të gjithë ne ndajmë një planet të vetëm, prandaj është e palogjikshme që implikimet e politikës ditore të stopojnë bashkëpunimin në fushën e mjedisit. Ngase në fund të fundit, ndotja e ajrit, degradimi i tokës dhe problemet e tjera mjedisore nuk njohin ndonjë kufi politik dhe si të tilla duhet të zgjidhen bashkërisht”, tha Reshitaj.

Ndërsa, përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së, Ulrika Richardson përgëzoi ministren për politikat reformuese në sektorin e menaxhimit të mbeturinave, sidomos në ndryshimin e Udhëzimit Administrativ për ndëshkime me gjoba mandatore.

Reshitaj dhe Richardson ranë dakord për bashkëpunim të mëtutjeshëm në projekte të ndryshme në fushën mjedisit dhe planifikimit hapësinor.