Ukrainasit nxisin krizë shëndetësore për shkak të dyshimit ndaj vaksinave

E publikuar: 18/12/2017 16:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Oksana asnjëherë nuk e ka vaksinuar djalin e saj katër vjeçar, meqë është e bindur se kjo masë parandaluese ndaj sëmundjeve potencialisht vdekjeprurëse, më shumë mund të shkaktojë dëm sesa ta mbrojë atë.

“Ka shumë të dhëna që tregojnë se fëmijët që janë vaksinuar, në fakt kanë tërhequr sëmundje të ndryshme”, thotë kjo nënë 30-vjeçare që jeton në Kiev, duke mos dhënë shpjegime të tjera.

“Po ashtu, ka pasur shumë informata rreth fëmijëve të vaksinuar që vdesin”, shton ajo, duke refuzuar që ta tregojë mbiemrin nga frika se këto komentet mund të nxisin reagime negative tek shoqëria e saj.

Pikëpamje të tilla – që besohen nga një numër i vogël i prindërve në Ukrainë – mund ta dërgojë vendin me 45 milionë banorë buzë një krizë të madhe shëndetësore, thonë ekspertët.

“Ukraina është në prag të një epidemie të fruthit”, thotë Yevhen Komarovski, pediatër nga Ukraina, që është i zëshëm në diskutimet rreth sëmundjeve të frymëmarrjes, që mund të përpahen lehtësisht përmes kontaktit me pështymë dhe mukozë të infektuar.

“Në fakt, nësë e marrim parasysh nivelin [e ulët] të vaksinimit, atëherë shkalla e vdekjeve mund të konsiderohet si e vogël”, thotë ai. “Jemi ende shumë me fat”, shton ai.

Sidoqoftë, ai thotë se “për fat të keq, situata në vitin 2018 mund të përkeqësohet”.

Bazuar në të dhëna të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për vitin 2016, Ukraina renditet e fundit sa i përket vaksinimit kundër fruthit në Evropë.

Dhe, sipas OBSH-së, nevojitet vetëm një përqindje e vogël e fëmijëve që nuk vaksionohen për të krijuar bazë për përhapjen e fruthit.

Kriza shëndetësore në rritje

Statistikat tregojnë se Ukraina është në drejtim të një krize shëndetësore.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë së Ukrainës, rastet e të prekurve me fruth në vitin 2017 janë 20 herë më të shpeshta krahasuar me vitin e kaluar. Në vitin 2017, dy fëmijë vdiqën në Ukrainë nga kjo sëmundje, për të cilën UNICEF thotë se është një prej vrastarëve më të mëdhenj të fëmijëve në botë.

Disa ekspertë thonë se mediat kanë një pjesë të fajit për krijimin e kësaj situate, meqë sipas tyre, ato kanë nxitur frikë në Ukrainë.

Në të kaluarën, Ukraina është ballafaquar me mungesë të vaksinave, për shkak të pengesave në transportin e tyre, e shkaktuar nga konflikti në lindje të vendit, ku më shumë se 10.300 persona kanë vdekur në luftimet në mes të forcave qeveritare dhe separatistëve të përkrahur nga Rusia.

Por, Ukraina e ka kaluar këtë fazë të rëndë, shpjegon Fyodir Lapiy, imunologjist në Kiev. “Aktualisht ne kemi mbi 600 mijë vaksina. Kjo sasi është e mjaftueshme për të gjithë fëmijët që kanë caktuar një datë për t’u vaksinuar dhe për ata të cilët nuk e kanë bërë ende një gjë të tillë,” thotë Lapiy.

Ai tregon se vaksina, që blihet nga qeveria ukrainase, jepet falas për fëmijët.

Rënie e shkallës së vaksinimit

Tetyana, nënë e dy vajzave, thotë se ka vendosur që t’i vaksinojë ato, për dallim prej shumë nënave të tjera në Kiev.

“Unë kam shoqe që nuk i vaksinojnë fëmijët e tyre. Ato thonë se vaksinimi do t’ua dëmtojë mbrojtjen më të mirë kundër sëmundjeve – e që është sistemi i imunitetit të fëmijëve,” thotë Tetyana, që po ashtu refuzoi ta bëj publik mbiemrin e saj.

Giovanna Barberis, përfaqësuese e UNICEF-it në Ukrainë, ka shkruar se “mitet se si vaksinimi mund të jetë pontecialisht i dëmshëm” kanë shkaktuar që “shkalla e vaksinimit kundër fruthit ka rënë në mënyrë dramatike nga 97 për qind në vitin 2007, në 42 për qind në vitin 2016”.

Zyrtarisht, Ukraina thotë se shkalla e atyre që kanë refuzuar vaksinimin kundër fruthit në vitin 2017 është vetëm 7.4 për qind.

Por, të dhënat nga OBSH thonë se më pak se 50 për qind e fëmijëve një vjeçar janë vaksinuar kundër fruthit në vitin 2016.

Ky fakt e renditë Ukrainën si vendin e fundit në Evropë sa i përket shkallës së vaksinimit.

Dhe shifrat mund të jenë edhe më keq, sepse ka dyshime se numri i fëmijëve që janë vaksinuar kundër fruthit mund të jetë më i lartë “në letër” se sa që në të vërtetë është.

“Në mesin e atyre të ashtuquajtur të vaksinuar, në fakt ka shumë fëmijë që nuk janë të vaksionuar: pra, ata që janë vaksinuar vetëm në letër, sepse prindërit e tyre kanë marrë çerfitikatë [false] nga doktorët,” sqaron Lapiy.

Sipas ligjit, prindërit duhet të marrin çertifikatat e imunizimit për fëmijët e tyre, para se ata të fillojnë shkollën.

Të dhënat tregojnë se niveli i vaksinimit filloi të bie në vitin 2008, atë kohë kur ishte rapotuar gjerësisht lidhur me një incident në qytetin Kramatorsk të Ukrainës lindore.

Në maj të atij viti, Anton Tyschengo, 17 vjeç, kishte vdekur për shkak të një vaksine kundër fruthit. Serumi ishte bërë në Indi dhe duket se nuk është testuar në Ukrainë, thonë gjetjet e dy komisioneve hetimore. Ata po ashtu gjetën se djali në fakt nuk ka pasur nevojë për vaksinim, sepse ai është imunizuar dy herë në të kaluarën.

Disa njerëz në Ukrainë e lidhën vdekjen e tij me serumin, edhe pse zyrtarët qeveritarë por edhe OBSH dhe UNICEF-i kanë insituar se nuk ka pasur asgjë keq me atë vaksinë.

Përkundër kësaj, ai incident duke se ka ndezur një entuziazëm kundër vaksinimit në Ukrainë.

Vyacheslav Kostylev, drejtues i një organizate joqeveritare, kishte thënë se në atë kohë ishte rritur numri i njerëzve të cilët kërkonin ndihmë ligjore sesi ta refuzojnë vaksinimin e fëmijëve të tyre.

Tani duket se Ukraina po paguan çmimin e vendimit të prindërve që kanë zgjedhur të mos i vaksinojnë fëmijët.

Në 10 muajt e parë të vitit 2017, 2,381 raste të fruthit janë regjistuar në Ukrainë, bazuar në të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë.

Në vitin 2016, vetëm 102 raste të tilla janë regjistuar, kurse në vitin 2015 vetëm 105 raste.

Dy fëmijë humbën jetën në rajonin e Odesas në vitin 2017 për shkak të komplikimeve nga sëmundja.

Një sondazh i bërë nga UNICEF-i në vitin 2012 tregon se një e treta e prindërve në Ukrainë janë kundër vaksinimit.

Sipas një deklarate të OBSH-së, “në një vend ku shkalla e imunizimit bie nën 95 për qind, numri i personave të prekur rritet çdo vit, dhe kjo e shton rrezikun për një përhapje të madhe, potencialisht me pasoja tragjike”.

Derisa në Ukrainë të dhënat janë shqetësuese, dyshuesit ndaj vaksinës po e ndryshojnë mendimin e tyre, ashtu siç Oksana duket se e ka bërë. Ajo tani thotë se së bashku me burrin e saj, me siguri se do t’i vaksinojnë fëmijët e tyre kundër fruthit.

Megjithatë, ky çift thotë se do të veprojë me kujdes. “Ne do ta blejmë një vaksinë belge, dhe procedurën do ta kryejmë në një klinikë private,” thotë Oksana. “Ne nuk u besojmë mjekësve në klinikat shtetërore”.

Përgatiti: Nektar Zogjani