Ukraina fajëson Rusinë për vrasjen e gazetarit rus në Kiev

E publikuar: 30/05/2018 16:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Ukrainës, Volodymyr Groysman ka akuzuar Rusinë për vrasjen e gazetarit rus, Arkady Babchenko në Kiev.

“Unë besoj se makina totalitare e Rusisë nuk e ka falur atë, sinqeritetin e tij dhe qëndrimin parimor”, ka thënë zyrtari ukrainas përmes një postimi në Facebook.

I njohur si kritik i Kremlinit, Babchenko është qëlluar me armë zjarri jashtë banesës së tij ditën e martë.

Vrasja e 41 vjeçarit ka shokuar kolegët e tij dhe ka shtuar tensionin në mes të Moskës dhe Kievit, marrëdhëniet e të cilave janë dëmtuar rëndë pas vendimit të Rusisë për të aneksuar Krimenë, si dhe për mbështetjen e separatistëve në lindje të Ukrainës.

Shefi i policisë së Kievit, Andriy Krishchenko, ka thënë në disa komente televizive më 29 maj se policia pretendon se Babchenko është shënjestruar për shkak të punës së tij.

“Versioni i parë dhe më i dukshëm ka shkak aktivitetet e tij profesionale”, ka thënë ai.

Policia në Kiev ka thënë se gazetari rus është larguar nga shteti i tij për t’i ikur asaj që e ka quajtur “ngacmim politik”.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka kundërshtuar akuzat e Ukrainës, duke i cilësuar si fushatë anti-ruse, ka raportuar TASS.

Rusia ka bërë thirrje për hetim mirëpo ka thënë se “krimet e përgjakshme” janë bërë rutinë në “regjimin e Kievit”.

Në Moskë, Komiteti Hetues i Rusisë ka distancuar Kremlinin nga vrasja, duke thënë se ka nisur një hetim të pavarur për vrasjen e Babchenkos.

“Komiteti Hetues i Rusisë nuk do të injorojë krimet brutale kundër qytetarëve rusë”, ka thënë zëdhënësja e Komitetit, Svetlana Petrenko.

Disa persona kanë vendosur lule në vendin ku është gjetur i vdekur gazetari.

Disa persona kanë vendosur lule në vendin ku është gjetur i vdekur gazetari.

Ministria e Jashtme e Rusisë ka lëshuar një deklaratë duke “u kërkuar autoriteteve ukrainase që të bëjnë gjithçka qëështë e mundshme për një hetim të menjëhershëm”, duke thënë se Moska shpreson se “agjencitë ndërkombëtare dhe organizata joqeveritare do të marrin nën kontroll procesin hetimor”.

Zëdhënësja e policisë së Kievit, Oksana Blyschyk, ka thënë se policia ka pranuar një thirrje emergjente më 29 maj nga doktorët, të cilët kanë thënë se një grua i ka telefonuar duke u thënë se “ka gjetur burrin e saj në një lum gjaku”.

Deputeti i parlamentit ukrainas, Anton Heraschenko, i cili njëherësh është edhe ndihmës i ministrit të Brendshëm, ka thënë se Babchenko ishte duke u kthyer nga dyqani ushqimor dhe ishte duke hapur derën e banëses kur sulmuesi ka shtënë disa herë drejt tij me armë zjarri.

“Frika e ka dërguar në Ukrainë”

Disa nga kolegët e Babchenkos në Kiev dhe vende tjera kanë fajësuar menjëherë agjencitë e inteligjencës ruse, duke theksuar faktin se ai është larguar nga Rusia drejt kryqytetit ukrainas, duke menduar se do të jetë më i sigurt.

“Frika e dërguar atë këtu”, ka thënë ish-gazetari, Yury Matsarsky, për Current Time, televizion në gjuhën ruse i Radios Evropa e Lirë.

Dmitry Muratov, ish-redaktor i gazetës së pvarur ruse, Novaya Gazeta, ka thënë se ky rast ka rikujtur vrasjen e një prej komentatoreve më të njohura në Rusi, Anna Politkovskaya, e cila është vrarë brenda banesës së saj në Moskë më 2006.

Raportimet e Babchenkos për mbështetjen e Moskës ndaj sepraratistëve në lindje të Ukrainës, e ka bërë atë shënjestër të kritikave nga media shtetërore ruse dhe zyrtarë rusë.

Vëzhguesi i mediave në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSCE) ka dënuar vrasjen e gazetarit dhe ka kërkuar që vrasësi të përballet me drejtësinë.

“Sulm ndaj lirisë së shtypit”

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve po ashtu ka bërë thirrje për hetim në mënyrë që “të mbahen përgjegjës ata që kanë kryer këtë krim brutal”.

“Babchenko është njohur për gazetarinë e tij me qasje kritike dhe autoritetet duhet të trajtojnë vrasjen e tij si sulm ndaj lirisë së shtypit”, ka thënë koordinatorja e këtij Komiteti për Evropë dhe Azi Qendrore, Nina Ognianova.

Babchenko i ka thënë Radios Evropa e Lirë në dhjetor të vitit 2016 se “të gjitha elemtentet” e “makinës propaganduese” të Rusisë janë sulur drejt tij, pas komenteve që ka bërë ai në Facebook lidhur me rrëzimin e aeroplanit ushtarak rus në Detin e Zi.

Në këtë incident kanë vdekur 92 personat që kanë qenë në aeroplan, duke përfshirë anëtarë të korit të Ushtrisë Ruse, të cilët ishin duke udhëtuar për të performuar për trupat ruse në Siri.

Kritik i ashpër

Në shkurt të vitit 2017, në një shkrim për gazetën britanike, The Guardian, Bachenko ka thënë se “unë mund t’iu tregoj se çfarë do të thotë ngacmimi politik në Rusinë e presidentit Vladimir Putin. Sikuse shumë disidentë, unë jam mësuar me abuzim, mirëpo fushatat e fundit kundër meje kanë qenë aq personale dhe të frikshme sa që jam detyruar të largohem”.

Para se të bëhej gazetar, Babchenko ka shërbyer në Ushtrinë ruse gjatë luftës së parë separatiste në Çeçeni në vitet 1990.

Ai është zhvendosur në Kiev në vjeshtën e vitit 2017, derisa është gazetari i dytë rus i profilit të lartë që është vrarë në Ukrainë në më pak se dy vjet.

Autoritetet në Kiev janë ende duke hetuar vrasjen e gazetarit, Pavel Sheremet në një shpërthim me makinë bombë në kryeqytetin ukrainas në korrik të vitit 2016.

Sheremet, gazetar rus me prejardhje nga Bjellorusia, është njohur si gazetar i linjës së ashpër dhe komentator që ka punuar për disa media të mirënjohura në Bjellorusi, Rusi dhe Ukrainë, gjatë karrierës së tij për disa dekada.

Përgatiti: Krenare Cubolli