Ukraina dëbon gazetaren e televizionit shtetëror rus

E publikuar: 31/08/2017 10:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Autoritetet ukrainase thanë se kanë dëbuar gazetaren e televizionit shtetëror rus, Anna Kurbatova.

Zëdhënësja e Shërbimit të Sigurisë në Ukrainë, Olena Hitlyanska, tha se Kurbatova është dërguar në Rusi dhe se ndalohet të hyjë në Ukrainë për tre vjet.

“Propaganduesja ruse, Anna Kurbatova, ka kaluar kufirin Ukrainë-Rusi”, ka konfirmuar Hitlyanska në Facebook.

“E njëjta gjë do të ndodhë me secilin që i lejon vetes të diskreditojë Ukrainën”, ka shtuar ajo.

Më herët, e kontaktuar nga mediat, Hitlyanska nuk pranoi të përgjigjet në pyetjet se si dhe kur është ndaluar Kurbatova.

Pasi ka arritur në Rusi, Kurbatova u ka thënë agjencive të lajmeve se Shërbimi i Sigurisë në Ukrainë i ka dhënë një dokument zyrtar, në të cilin thuhet se ajo “paraqet kërcënim për sigurinë kombëtare dhe sovranitetin e Ukrainës”, sepse ajo, në artikujt e saj, e ka përshkuar konfliktin në lindje të Ukrainës si “luftë civile” dhe jo si “agresion rus”.

Kievi ka ndaluar hyrjen e dhjetëra kanaleve televizive ruse qysh në vitin 2014 – kur edhe ka shpërthyer konflikti – duke i akuzuar ato për përhapje të propagandës së luftës.