Udinese e Bologna kërkojnë huazimin e Rey Manaj

E publikuar: 24/10/2015 12:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

I aktivizuar si titullar në Trofeun Berlusconi dhe me dy aktivizime në Serinë A italiane kundër Atalantës dhe Sampdorias, Rey Manaj është padyshim talenti më interesant i prezantuar nga Interi në startin e këtij sezoni.

Shqiptari mbetet një prej të përkëdhelurve të trajnerit Roberto Mancini, i cili beson te potenciali i 18-vjeçarit të lindur në Lushnje. Por, megjithë situatën në favor të sulmuesit në radhët zikaltër, sipas mediave italiane nuk përjashtohet që klubi të vendosë ta huazojë në merkaton e janarit.  Ofertat nuk mungojnë dhe qëllimi është që Manaj të transferohet përkohësisht në një skuadër e cila do ti garantonte aktivizim të shpeshtë, në mënyrë që lojtari të fitojë eksperiencë.

Në këtë situatë, dy klube nga elita e futbollit italian janë shfaqur të interesuara të sigurojnë shërbimet e talentit të përfaqësueses Shpresa, që në miqësoret e Nëntorit do të grumbullohet edhe në Kombëtaren A nga Gianni De Biasi. Udinese kërkon ta afrojë Manaj, për të zëvendësuar Duvan Zapata, i cili është dëmtuar dhe do të mungojë për një kohë të gjatë. Klubi nga Friuli është një vitrinë interesante për sulmuesin kuqezi. Udinese është një skuadër ku talentët e rinj spikasin, ndërsa djaloshi do të ketë mundësi të mësojë nga një emër i madh si Antonio Di Natale por edhe nga francezi veteran Siril Tero. Një alternativë që mund të pëlqehet edhe nga vetë futbollisti.

Edhe Bologna po mendon të futet në garën për Manaj, me synimin që të përforcojë repartin ofensiv dhe ti largohet fundit të renditjes. Të dëshpëruar nga rendimenti i dobët i emrave si Mattia Destro, Brienza apo Acquafresca, në skuadrën kuqeblu nuk mund të qendronin indiferentë ndaj talentit shqiptar dhe kërkojnë shërbimet e tij.

Video Player