Udhëtimi emocional në vendlindje i Malala Yousafzai-t

E publikuar: 03/04/2018 16:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Fituesja e çmimit Nobel për Paqen Malala Yousafzai, ka përfunduar udhëtimin e saj të parë në vendlindjen e saj Pakistan që nga koha kur u qëllua në kokë gjashtë vjet më parë nga talebanët pakistanezë, për mbrojtjen që u bënte të drejtave të vajzave dhe arsimimit të tyre. Aktivistja vizitoi edhe shtëpinë në Swat, ku ndodhi incidenti. Ajo u transportua në gjendje kome në Britani për një operacion urgjent dhe prej asaj kohe ka jetuar atje dhe ka studiuar në Universitetin e Oksfordit.

Malala Yousafzai u kthye në Pakistan e ftuar nga autoritetet shtetërore dhe vizita e saj zhvillua nën masa të rrepta sigurie. 20-vjeçarja, fituese e çmimit Nobel udhëtoi për në shtëpinë e saj në distriktin e Swat-it, dikur një bastion i militantëve, shoqëruar nga prindërit dhe dy vëllezërit.

Është ende po aq i bukur siç ka qenë. Është pranverë ndaj dhe është edhe më bukur, me malet e gjelbëruara, lule dhe aromë gjithëandej. Vizitova shtëpinë dhe takova fqinjët e miqtë e mi. Të gjithë ishin të emocionuar. Hyra në dhomën time dhe pashë trofetë që kam fituar në shkollë, vizatimet e mia dhe u përpoqa të kujtoja çdo ditë, se si jetonim në atë shtëpi përpara se të më sulmonin“, tha Malala Yousafzai, fituese e çmimit Nobel.

Në tetorin e vitit 2012 Malala po kthehej nga shkolla për në shtëpi, kur një person i armatosur ndaloi furgonin e shkollës dhe e qëlloi.

Pakistani e “shet” Swat-in si një histori suksesi në luftën e gjatë kundër ekstremizmit fetar edhe pse Shtetet e Bashkuara dhe të tjerë thonë se rajonet veriperëndimore të vendit në kufi me Afganistanin, mbeten një “strehë e sigurt” për militantët.

Talebanët pakistanezë kontrollonin apo kishin ndikim në pjesën më të madhe të Swat-it deri në vitin 2009, kur falë një operacioni ushtarak lugina u pastrua prej militantëve. Në atë kohë si pasojë e sulmit ishin çrrënjosur brenda një kohe të shkurtër dy milionë njerëz.

Udhëtimi im është i rëndësishëm për të dhënë mesazhin se në Pakistan ka paqe dhe se banorët e këtij vendi janë ngritur kundër ekstremistëve. Edhe për luginën e Swat-it, ku njerëzit u detyruan të largohet nga shtëpitë e tyre për tre muaj, ishte një mesazh për të treguar se ne nuk pajtohemi me ekstremistët dhe ideologjinë e tyre dhe se do të sakrifikojmë shtëpitë tona për të treguar se nuk duam të jetojmë me ta, në atë situatë“.

Malala thotë se synon të kthehet rregullisht në Pakistan për të mbikqyrur projektet e arsimimit, që organizata e saj “Fondi Malala” ka ndërmarrë në Swat.

Nëse një vajzë nuk shkon në një shkollë të sigurt, ka më shumë gjasa që ajo të martohet në moshën 13 apo 14 vjeç. Ka më shumë gjasa që ajo të punojë në moshë të mitur, të jetojë në varfëri dhe të mos mbrohet dot nëse përballet me ndonjë ngacmim apo dhunë“.

Që prej incidentit, Malala shërben si mbrojtëse e së drejtës për arsimim, gjë që e ka shdërruar atë në një simbol ndërkombëtar për të drejtat e njeriut. Në vitin 2014, kur ishte vetëm 17 vjeç, ajo u bë njeriu më i ri në moshë që fiton çmimin Nobel për Paqen.