UBT hapi Qendrën e Inovacionit Social, “Colibri,” nis Java e Inovacionit Social

E publikuar: 03/10/2017 00:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sot UNICEF dhe UBT në një aktivitet në Kampusin Inovativ të UBT-së, në Lipjan inauguruan qendrën më të re të inovacionit në Kosovë, Qendrën së Inovacionit Social, “Colibri”.

Inaugurimi u bë në Kampusin Inovativ të UBT-së, në Lipjan, në një aktivitet dedikuar kësaj ngjarje me pjesëmarrjen e rektori të UBT-së Prof. Dr. Edmond Hajrizi, Shefit të UNICEF për Kosovën Brandao Co dhe Ministrit të Inovacionit dhe Sipërmarrjes Besim Beqaj.

“Problemet e rinisë, problemet e shëndetësisë, problemet e punësimit dhe probleme të ndryshme sociale janë aktuale për Kosovën dhe mendoj se ne jemi të gatshëm me qendrën e re të marrim përsipër një përgjegjësi sociale për tu dhënë zgjidhje këtyre sfidave me anë të inovacionit,” u shpreh rektori Hajrizi gjatë fjalës së tij të rastit.

Hajrizi shprehu gatishmërinë e UBT-së, duke përfshirë edhe stafin akademik dhe studentët, për të ofruar ide për zgjidhjen e problemeve më të mëdha dhe më aktuale të shoqërisë, përfshirë ato në shëndetësi, në zhvillim ekonomik dhe në të gjitha sferat e tjera të jetës.

Gjatë aktivitetit të ditës së sotme u mbajt edhe Panairi i Inovacionit Social ku studentët do të prezantojnë punimet e tyre inovative me karakter social. Para pjesëmarrësve, studentët e UBT-së prezantuan punimet dhe projektet e tyre inovative, të cilat u shndërruan në produkte konkrete në laboratorët e sofistikuar të UBT-së, si dhe në fund, u vizituan objektet dhe hapësirat brenda kampusit të UBT-së, në Lipjan, përfshirë laboratorët, inkubatorët, bibliotekën, leximoret dhe sallat e ligjëratave.

“Në 2010-tën UNICEF themeloi UNICEF Innovation Lab si përgjigje ndaj sfidave dhe mungesës së mundësive në mesin e të rinjve. Kosova është vendi me popullsinë më të re në Evropë, dhe të jesh me të rinjve do të thotë të gjendesh mes një energjie, kapaciteti dhe potenciali të lartë për shoqërinë,” u shpreh Brandao Co.

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj e vlerësoi lart hapjen e Colibri-t, teksa tregoi që, me qëllim të përkrahjes së ideve inovative dhe pas bashkëbisedimit me shumë të rinj kosovarë, është vendosur që të bëhet themelimi i një ministrie që do të merret veçanërisht me identifikimin dhe përkrahjen e inovatorëve të rinj.

Hapja e qendrës për me startin e Javës së Inovacionit Social në Kosovë e cila mbahet në datat 2-6 Tetor. Gjatë kësaj jave do të organizohen aktivitete inovative e atraktive, ku spikat punëtoria StartUP, garë projekteve më inovative dhe me shpërblime që shkojnë deri në 5,000 Euro.

Të rinjtë të cilët kanë aplikuar për tu bërë pjesë e punëtorisë e cili nis më 4 Tetor në kuadër të Javës së Inovacionit Social, do të mësojnë projektet fituese më 6 Tetor.

Gjatë këtij aktiviteti pjesëmarrësit do të mund të fitojnë grante deri në 5,000 Euro si dhe të krijojnë një ndërmarrje sociale; do të mësojnë më shumë rreth ndërmarrjeve sociale; dhe do të zhvillojnë produkte dhe shërbime që përmirësojnë jetën e komunitetit.

Më 3 Tetor në ora 11:00 do të zhvillohet një panel diskutimi mbi temën e inovacionit social, pastaj parashihet edhe organizimi i punëtorisë nga programi “Engineers Without Borders”, si dhe punëtoria “Critical Media Literacy”.

Më 4-5 Tetor mbahet punëtoria StartUP dhe do të përbëhet nga katër module përgjatë dy ditëve ku do të trajtohen analizat SWOT dhe faktorët kyç të suksesit dhe modelet e biznesit.

Më 6 Tetor do të bëhet prezantimi i projekteve dhe përzgjedhja e fituesit dita edhe kur do të finalizohet Java e Inovacionit Social.

Kjo qendër është një përpjekje e përbashkët nga UNICEF dhe UBT dhe shënon një hap të rëndësishëm në lidhjen e akademisë me komunitetet.

Colibri do të nxisë angazhimin e komunitetit për të siguruar më shumë adoleshentë dhe të rinj me aftësi të shekullit XXI, për zgjidhjen e problemeve sociale dhe të sipërmarrjeve, për shkrim-leximin mediatik si dhe për ofrimin e zgjidhjeve dixhitale.

Qendra do të edukojë inovatorët e rinj socialë, sipërmarrësit e vegjël dhe liderët e ardhshëm të ndryshimit social në Kosovë dhe më gjërë. Misioni i saj është ti ndihmojë të rinjë të arrijnë potencialin e tyre më të lartë dhe të sjellin ndryshimin social me anë të inovacionit në Kosovë dhe në Ballkan. /PCWorld Albanian