U nxor i gjallë nga aeroplani i rrëzuar në Pakistan, tregon tmerrin që përjetoi në momentin e përplasjes

E publikuar: 23/05/2020 11:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Aeroplani që u përplas në Pakistan, la 99 të vdekur, por në mesin e tyre arritën të shpëtonin dy udhëtarë.

Zafar Masood është një nga të mbijetuarit, që u nxor i gjallë nga rrënojat, i cili tregoi tmerrin që pësoi në momentin e përplasjes së aeroplanit në një objekt banimi, transmeton Telegrafi.

“E tëra që shihja ishte tym dhe flakë, ndërsa dëgjoja britma nga të gjitha anët, prej të rriturve dhe fëmijëve. Nuk e shihja asnjë njeri nga tymi, vetëm dëgjoj zërat e tyre”, ka thënë Masood.

I mbijetuari tjetër, është Muhammad Zubair, që së bashku me të ishin në radhën e parë të ulëseve. Të dy kanë lëndime të lehta, ndërsa gjendja e tyre raportohet të jetë nën kontroll.

Autoritetet në Lahore, kanë bërë të ditur se ky aeroplan bëri dy përpjekje për aterrim, ndërsa përfundoi i përplasur në një objekt banimi, pak momente pasi piloti raportoi se gjendja e aeroplanit nuk është në rregull.