U infektua me COVID-19 para 15 ditësh, Kastrati tregon gjendjen dhe a do të ritestohet

E publikuar: 29/06/2020 11:34
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Janë bërë 15 ditë prej kur kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, kishte rezultuar pozitiv në testimin për COVID-19. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, po konsideron se Kastrati është shëruar, ndonëse nuk i është nënshtruar ritestimit, shkruan Gazeta Express

Në një përgjigje për Express, Kastrati tha se sipas IKSHPK’së, pas gjithsej 17 ditësh, në rastin kur nuk ka simptoma tutje, ai konsiderohet i shëruar nga koronavirusi.

“Kam biseduar me ta dhe më kanë thënë se përderisa nuk kam simptoma fare, mjafton të qëndroj në izolim 14+3 ditë dhe konsiderohet që jam i shëruar, dhe nuk kam nevojë për ritestim. Sot është dita e 15’të prej kur e kam bërë testin”, ka thënë Kastrati.

Kastrati ishte konfirmuar pozitiv në testimet për COVID-19 më 16 qershor.
Në një postim në Facebook ai kishte treguar se virusin e kishte marrë si pasojë e kontaktit me një person të infektuar.

“Javën e kaluar kam pasur kontakt me një koleg nga Prishtina. Para dy ditësh kolegu ka rezultuar pozitiv me COVID-19. Në momentin që e kam kuptuar që ai ka bërë testin jam vetizoluar, ndërsa dje jam paraqitur për të bërë testin. Sot jam informuar që testi ka dalur pozitiv. Nuk kam asnjë simptomë por do të qëndroj i vetizoluar sipas rekomandimeve të IKShPK-së”, kishte shkruar Kastrati.

Ai gjatë kohës sa kishte qenë i infektuar me virusin COVID-19, kishte bërë të ditur se gjendja e tij shëndetësore është stabile dhe se nuk ka komplikime shtesë.

Po ashtu, kontaktet e Kastratit kishin rezultuar negative në testimet për koronavirus.

Ndërkohë, numri total i personave të infektuar me koronavirus në Kosovë ka shkuar në 2677.

Nga ta janë shëruar 1425 persona, ndërkaq numri personave të vdekur si pasojë e koronavirust ka shkuar në 49./GazetaExpress/