Tyson Fury kritikon Joshuan dhe Parkerin: Nuk janë të denjë as për të qenë partnerë të mi në stërvitje

E publikuar: 01/04/2018 05:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Tyson Fury i ka kritikuar kampionët e botës në kategoritë e peshave të rënda, Anthony Joshua dhe Joseph Parker, për meçin e zhvilluar të shtunën mbrëma në Cardiff për unifikimin e titujve.

Britaniku 28-vjeçar triumfoi me pikë pas 12 raundesh dhe kjo ishte hera e parë që e përfundonte një duel pa nokaut (20 meçet e kaluara i ka fituar me nokaut).

(Foto: Sky Sports)

Nga ana tjetër, për boksierin 26-vjeçar nga Zelanda e Re, kjo ishte humbja e parë (pas 24 fitoresh, 18 prej të cilave i ka fituar me nokaut).

Mirëpo, ish-kampioni i unifikuar, Tyson Fury, nuk ishte aspak i kënaqur me paraqiten e asnjërit prej boksierëve.

Ai ka thënë se në këtë përballje mungonte emocioni i vërtetë, mungonte spektakli dhe se njerëzit kishin shpenzuar pa nevojë paratë e tyre për ta shikuar duelin

Madje, ai është shprehur se asnjëri prej dy kundërshtarëve nuk ishte i denjë as për të qenë partner i tij në stërvitje dhe se mund ta mposhtte Joshuan kur t’i kthehet boksit.

“Mund ta mposht ‘AJ’ kurdo që kthehem… Ai nuk është i denjë as për të qenë një partner sparingu”, ka thënë 29-vjeçari.

Kujtojmë që Fury në vitin 2015 mposhti Wladimir Klitschkon dhe ia rrëmbeu titujt WBA (Super), IBF, WBO dhe IBO. Mirëpo, pas mungesës dyvjeçare të dueleve, atij iu morën titujt. /Telegrafi/