Tyson Fury dhuroi spektakël në konferencën pas meçit ndaj Wilder

E publikuar: 03/12/2018 01:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Tyson Fury duket se është kënaqur shumë me performancën e tij në duelin për titullin e botës në WBC kundër Deontay Wilder që përfundoi baras me ndarje të pikëve nga gjyqtarët.

Siç ndodh rëndom, pas duelit boksierët kanë dalë në konferencë për shtyp për t’i dhënë pikëpamjet e tyre lidhur me përballjen.

Ndërsa britaniku, i cili njihet për veprimet e tij të paparashikuara, krahas deklaratave të tij për duelin e zhvilluar në Staples Center të Los Angelesit ka dhuruar edhe spektakël.

Ai është çuar në këmbë dhe ka nisur të këndojë hitin “American Pie” dhe ka kërkuar nga pjesëtarët e stafit të tij që t’i bashkëngjiten.

Në ndërkohë, duke e komentuar meçin, Fury ka thënë se e gjithë bota e di kush është kampioni i vërtetë i WBC-së dhe se barazimi ishte një dhuratë për Wilderin.

“Të jem i sinqertë, nuk kam parë asnjëherë në jetë një vendim më të keq. Nuk e di se cilin duel e kanë ndjekur ata”, ka thënë 30-vjeçari.

Shumë personalitete të njohura të boksit – duke përfshirë Floyd Mayweather, Lennox Lewis, Tony Bellew e Carl Froch – kanë thënë se meçin e fitoi boksieri britanik. /Telegrafi/