Twitter pranë tre mujorit të parë fitimprurës në historinë e kompanisë

E publikuar: 27/10/2017 10:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Twitter tha ditën e Enjte se është pranë tre mujorit të parë me fitim që nga dalja në bursë e kompanisë, pas shkurtimeve të shpenzimeve në muajt e kaluar dhe gjetjes së burimeve të reja të të ardhurave përtej reklamimit.

Twitter raportoi të ardhura prej 590 milion dollarësh, një rënie me 4% krahasuar me një vit më parë ku shënonte 616 milion dollar.

Analistët kishin parashikuar 587 milion dollar të ardhura. Kompania tha se kishte 330 milion përdorues aktivë për tre mujorin e tretë që u mbyll më 30 Shtator, një rritje me 4 milion krahasuar me tre mujorin paraardhës.

Analistët kishin parashikuar 330.4 milion përdorues aktivë në mbarë botën dhe 69 milion në SHBA.

Rrjeti social tha gjithashtu se kishte zbuluar një gabim në përllogaritjen e numrit të përdoruesve të cilët qaseshin në llogaritë e tyre me anë të platformës Fabric të cilën Twitter e shiti tek Alphabet Google.

Investitorët dhe analistët vazhdimisht kanë kritikuar Twitter për mënyrën sesi shpjegon angazhimin në platformën e saj. Ndryshe nga Facebook, Twitter nuk zbulon sesa përdorues aktivë ditorë ka.

Humbjet e Twitter ranë nga 15 cent për aksion vitin e kaluar në 3 cent për aksione këtë tre mujor. Rrjeti social asnjëherë nuk ka shënuar një tre mujor fitimprurës.

Situata e kompanisë u përmirësua disi pas shkurtimit të shpenzimeve me 16%.

Muajin e kaluar rrjeti social filloi testimin me cicërimat deri në 280 karaktere në mënyrë që përdoruesit të shprehin më tepër. Një tjetër hap i rëndësishëm për kompaninë është diversifikimi i burime të të ardhurave përtej reklamimit.

Të ardhurat nga licencimi dhe të burimeve të tjera ishin 87 milion dollar në këtë tre mujor të fundit. /CIO Albanian