Tusk rekomandon që BE-ja të miratojë marrëveshjen për Brexitin

E publikuar: 24/11/2018 17:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk ka rekomanduar që Bashkimi Evropian të miratojë marrëveshjen për Brexitin, gjatë samitit që pritet të mbahet të dielën.
Ky njoftim vjen pasi kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez është siguruar nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar mbi Gjibraltarin dhe ka hequr dorë nga kërcënimi se do të bojkotojë samitin, raporton BBC.

Ai tha se ka pranuar garanci të shkruar mbi rolin e Spanjës mbi të ardhmen e territorit britanik.

Kryeministrja britanike, Theresa May do të udhëtojë më vonë gjatë ditës drejt Brukselit, ku do të takohet me zyrtarë të lartë të BE-së para samitit.

Ndërkaq, ish-sekretari i Jashtëm britanik, Boris Jonson ka thënë se Britania do të bëhet “një shtet satelit” nga kjo marrëveshje.

Spanja kishte ngritur kundërshtime mbi mënyrën se si është trajtuar Gjibraltari deri më tani në bisedimet e Brexitit.

Por, liderët e BE-së kanë arritur një kompromis me kryeministrin spanjoll, i cili ka thënë se Evropa dhe Mbretëria e Bashkuar “kanë pranuar kushtet e vendosura nga Spanja”, në mënyrë që të ketë votën pro për Brexitin.

Tusk, përmes një letre drejtuar anëtarëve të Këshillit Evropian ka thënë se ai ka rekomanduar “që të miratojmë të dielën rezultatin e negociatave të Brexitit”.

Ai ka shtuar se “askush nuk ka arsye që të jetë i lumtur. Por, të paktën në këtë moment kritik, BE-ja ka kaluar testin e unitetit dhe solidaritetit”.