Tusk optimist: BE nuk duhet ta braktisë anulimin e Brexitit

E publikuar: 17/04/2019 17:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk deklaroi se blloku nuk duhet të ngutet dhe të braktisë anulimin e Brexit, për shkak të një lodhjeje nga ky proces i gjatë.

Liderat e BE-së kanë sinjalizuar se tani nuk kanë më vullnet për të ofruar një zgjatje tjetër të afatit, por gjithsesi Tusk deklaroi se askush nuk duhet ta braktisë “ëndrrën” se Britania e Madhe mund ta kthejë pas kursin e saj.

Teksa fliste për samitin e javës së kaluar të BE për Brexitin, Tusk kërkoi nga politikanët e BE që të mos japin nxitje për një dalje të shpejtë të Britanisë thjesht nga lodhja dhe humbja e durimit.

”Në këtë moment të vështirë në historinë tonë, na nevojiten ëndërrimtarë dhe ëndrra. Ne nuk mund t’i dorëzohemi fatalizmit. Të paktën unë nuk do të ndaloj së ëndërruari për një Evropë më të mirë dhe të bashkuar”, është shprehur ai.

Tusku nuk përmendi asnjë emër lideri, por mediat e huaja sugjerojnë se i referohej lidërëve gjerman e francez.

Kujtojmë se Presidenti francez Emmanuel Macron e bëri të qartë në samit se preferonte që t’i jepte vetëm pak javë Britanisë së Madhe për t’i mbyllur negociatat, në dallim nga gjashtë muajt, që iu dhanë, ndërsa ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas theksoi të martën se Britania e Madhe nuk duhet të presë që t’i jepet një shtyrje tjetër. Sipas tij, çdo kërkesë e tillë do të lexohet si dëshirë për të qëndruar në BE./Opinion.al