Turqit votojnë për ndryshimet kushtetuese

E publikuar: 16/04/2017 14:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Turqit votojnë për ndryshimet kushtetuese

Turqit janë duke votuar në referendum, që do të vendosë nëse vendi do të ndryshojë Kushtetutën për të krijuar sistemin presidencial – një lëvizje kjo që mund t’i jap presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan fuqi të reja dhe ta lejojë atë të qëndrojë në pushtet edhe për më shumë se 10 vjet të tjera.

E ardhmja e marrëdhënieve tashmë të tensionuara në mes të Bashkimit Evropian dhe Turqisë është në rrezik dhe analistët parashikojnë se një fitore për Erdoganin mund të çojë në një ndërprerje të marrëdhënieve mes Ankarasë dhe Brukselit.

Turqit do të votojnë për 18 amendamente kushtetuese. Vota me “po” ose “jo” për këto ndryshime kushtetuese mund që të dobësojë Parlamentin e Turqisë, të eleminojë postin e kryeministrit, dhe t’i jap presidentit më shumë kontroll mbi gjyqësorin.

Për të kaluar këto ndryshime kushtetuese duhet vetëm një shumicë e thjeshtë.

Vetëm disa orë pasi u hapën vendvotimet, agjencia shtetërore e lajmeve në Turqi, ka raportuar se dy persona janë vrarë, pas një përleshje mes dy familjeve jashtë një qendre të votimit në provincën Diyarbakir.

Agjencia e lajmeve Dogan ka raportuar se përleshja ka ndodhur për shkak të “dallimeve politike”, duke shtuar se një person është dërguar në spital, ndërkaq dy të tjerë janë arrestuar lidhur me këtë rast.

Duke votuar për referendumin në Stamboll, Recep Tayyip Erdogan tha se vota “po” është “mundësi për ndryshim dhe transformim”.

“Ne duhet të marrim një vendim që është përtej të zakonshmes”, u tha ai gazetarëve, duke shtuar se shpreson që vendi do të marr vendimin e “pritur”.

Ndërkaq, kryeministri Binali Yildirim, ka votuar në provincën Izmir. Ai ka thënë se “pavarësisht rezultatit, ne do ta respektojmë atë”.

Sondazhet e publikuara, vetëm disa ditë para referendumit, kanë sugjeruar se shumica e turqve do të votojnë në favor të amendamenteve – që mund të çojë në ndryshimet më të mëdha të sistemit qeverisës në Turqi, që prej themelimit të republikës moderne më 1923.

Rreth 55 milionë njerëz kanë të drejtë vote në këtë referendum për ndryshime kushtetuese. Ata mund të votojnë në 167 mijë qendra të votimit në mbarë vendin.

Erdogan, në ditën e fundit të fushatës për referendum, ka thënë në një tubim në Stamboll se vota “Po” do të “përfundonte punën e nisur më 15 korrik”, një referencë kjo për grushtshtetin e dështuar të vitit të kaluar.

Udhëheqësia e partisë opozita Partia e Lëvizjes Kombëtare, gjithashtu ka bërë thirrje për votën “Po”, pasi kanë arritur një marrëveshje, me partinë e Erdoganit, AKP.

Ndërkaq, partia e dytë turke, Partia Popullore Republikane, ka bërë fushatë kundër ndryshimeve kushtetuese, të cilat, nëse miratohen, do të hyjnë në fuqi më 2019. Ligjvënësja e kësaj partia, Silina Dogan ka thënë se natyra autoritare e amendamenteve do t’i jepte fund shpresave të Turqisë që të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

Grupi opozitar pro-kurd, Partia Popullore Demokratike, gjithashtu ka kundërshtuar amendamentet, duke thënë se ato janë jodemokratike dhe do të shkelnin parimet e pavarësisë së gjyqësorit.

Kritikët në Turqi kanë shkuar edhe më larg, duke thënë se sistemi i ri qeverisës do të ishte një llojë “diktature të zgjedhur”, pa asnjë ndarje të pushtetit, duke bërë që Parlamenti të mos ketë asnjë pushtet legjislativ dhe do të bënte që presidenti të mos mund të mbahet përgjegjës për shkeljet eventuale.

Kritikët në perëndim gjithashtu kanë thënë se amendamentet do t’i japin shumë fuqi presidentit.

Organizata Human Rights Watch ka thënë se propozimet e referendumit, paraqesin një kërcënim të madh për të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe të ardhmen demokratike të Turqisë, sepse nëse ato kalojnë, mund të “vendosin në duart e Erdoganit pushtet të pakontrolluar”.

Këshilli i Evropës ka thënë se është thellësisht i shqetësuar nëse amendamentet nuk do të garantojnë ndarjen e pushteteve në Turqi, kontrollet e duhura dhe balancën ndërmjet degëve të ndryshme të qeverisë, apo pavarësisë së gjyqësorit- duke shtuar se të gjitha janë “parakushte për një shoqëri demokratike”.

Komisioneri evropian për të Drejtat e Njeriut, Nils Muiznieks ka lëshuar një raport më 12 prill, ku shpreh “shqetësim të madh” se ndryshimet kushtetuese mund të zvogëlojnë autonominë, edhe ashtu të dobët, të gjyqësorit në Turqi.

Muiznieks ka thënë se amendamentet e propozuara gjithashtu nuk adresojnë “mangësitë seriose”, që janë në Kushtetutën e Turqisë për të drejtat e njeriut dhe lirinë e shprehjes.

Më herët gjatë këtij muaji, kancelarja gjermane Angela Merkel, gjatë vizitës në Ankara, ka thënë se amendamentet e propozuara përbëjnë “një transformim të thellë politik”.

Ajo gjithashtu ka bërë thirrje se “duhet të bëhet gjithçka që të sigurohet ndarja e pushtetit dhe pluralizmi i opinionit të jetë i garantuar në Turqi”.

Fushata për referendumin ka qenë e përshkruar me polemika.

Grupi monitorues i zgjedhjeve i OSBE-së, më 7 prill ka thënë se fushata por edhe votimi do të zhvillohen, teksa shteti është në gjendje të jashtëzakonshme, pas grushtshtetit të dështuar të korrikut të vitit të kaluar.

Monitoruesit e OSBE-së kanë gjetur se të liritë themelore janë kufizuar pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, ku mijëra qytetarë janë burgosur ose janë përjashtuar nga puna – përfshirë shërbyes civilë, gjykatës, gazetarë dhe anëtarë të partive opozitare.

Kundërshtarët e referendumit pretendojnë se janë përballur me shtypje nga shteti, përderisa mbështetësit e fushatës “Po”, kanë pasur qasje që të përdorin mediat shtetërore, objektet dhe fonde, për të organizuar fushatën e tyre.

Përpjekjet e Erdoganit dhe të aleatëve të tij për të mbajtur tubime për turqit që jetojnë në vendet e BE-së, janë penguar. Gjermania, Holanda, Danimarka dhe Zvicra, kanë anuluar disa tubime të zyrtarëve turq, që quan në rritjen e tensioneve diplomatike në mes të këtyre shteteve dhe Ankarasë zyrtare.

Më 13 prill, Erdogan e përshkruajti Evropën si “kontinent të kalbur”, që më “nuk është qendra e demokracisë, të drejtave të njeriut, e lirive por e represionit, dhunës dhe nazizmit”.

Marc Pierini, ish-ambasador i BE-së në Ankara, i cili tash është analist në Varnegie Europe, thitë se akuzat për nazizëm të Erdoganit kanë zemëruar liderët e BE-së, deri në atë masë sa ai mund të ketë “djegur urat e tij” me Brukselin, “kur flitet për raportet personale”.

Perini i tha Radios Evropa e Lirë, se nëse amendamentet kushtetuese miratohen, ndërprerja e marrëdhënieve mes Ankarasë dhe Brukselit, duket e pashmangshme.

“Do të kemi një sistem që nuk ka ekuivalent në botën perëndimore”, thotë ai. “Pushteti do të jetë i koncentruar në një njeri”, thotë ai, duke shtuar se ky do të jetë një sistem “hiper-presidencial, pa shumë kontroll dhe balancë. Ky do të jetë një sistem, ku një njeri sundon, që në mënyrë të qartë është në kundërshtim me normat e BE-së”.

Ekspertët e tjerë evropianë kanë thënë se skenaret më optimiste, sa i përket raporteve midis Turqisë dhe Brukselit, do të ishin nëse votuesit refuzojnë këto ndryshime kushtetuese ose do të ketë një fitore e ngushtë e votës “Po”, e cila mund të çojë në zbutjen e qëndrimit luftarak të Erdoganit karshi BE-së.(REL)