Turqia voton

E publikuar: 24/06/2018 13:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Turqit po votojnë të dielën për presidentin dhe parlamentin e ri në zgjedhjet që shihen si sprova më e madhe për Recep Tayyip Erdoganin dhe partinë e tij, që kur morën pushtetin rreth 16 vjet më parë.

Zgjedhjet pritet të vendosin një presidencë të re të fuqishme ekzekutive të kërkuar nga Erdogani dhe të mbështetur nga një shumicë e ngushtë e turqve në një referendum të vitit 2017. Kritikët thonë se kjo do të dëmtojë më tej demokracinë në shtetin anëtar të NATO-s dhe do të forcojë sundimin e një njeriu.

Më shumë se 56 milionë veta janë regjistruar për të hedhur votën e tyre në 180 mijë kuti votimi që u hapën në orën 8 sipas kohës lokale.

Presidenti aktual Erdogan, udhëheqësi më popullor por edhe më përçarës në historinë bashkëkohore të Turqisë, i organizoi shumë më herët zgjedhjet që duhej të mbaheshin në nëntor të vitit 2019, duke argumentuar se fuqitë e reja do ta ndihmonin atë që të përballojë problemet në rritje të ekonomisë së vendit – lira ka humbur 20 për qind kundrejt dollarit këtë vit – dhe përballjen e më kryengritësit kurdë në juglindje të Turqisë dhe në Irak e Siri.

Recep Tayyip Erdogan

Recep Tayyip Erdogan

Por, ai i kishte bërë llogaritë pa kandidatin presidencial, Muharrem Ince, nga partia sekulariste CHP, paraqitja energjike e të cilit ka ringjallur opozitën e ndarë dhe të dëshpëruar turke.

Duke folur gjatë një tubimi në Stamboll të shtunën, ku morën pjesë qindra mijëra njerëz, Ince premtoi të përmbysë atë që ai dhe partitë e opozitës e shohin si një lëvizje drejt sundimit autoritar nën Erdoganin, në vendin me 81 milion banorë.

“Nëse fiton Erdogani, telefonat tuaj do të vazhdojnë të përgjohen. Frika do të vazhdojë të sundojë…. Nëse fiton Ince, gjykatat do të jenë të pavarura”, tha Ince duke nënvizuar që nëse zgjidhet, do të heqë gjendjen e jashtëzakonshme brenda 48 orësh.

Muharrem Ince

Muharrem Ince

Turqia është në gjendje të jashtëzakonshme, e cila shkurton disa nga të drejtat e njeriut dhe i lejon qeverisë të anashkalojë parlamentin me dekrete për gati dy vjet pas përpjekjes për grusht shteti në korrik të vitit 2016.

Erdogani e fajëson për grushtin e shtetit klerikun dhe ish aleatin e tij, Fethullah Gulen, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara dhe ka përndjeur mbështetësit e tij në Turqi. Kombet e Bashkuara thonë se rreth 160 ijë njerëz janë burgosur dhe pothuajse aq janë përjashtuar nga puna.

Sipas anketave, Erdogani mund të dështojë të fitojë në raundin e parë, por pret fitoren në raundin e dytë që do të mbahet më 8 korrik, ndërsa partia e tij mund të humbë shumicën në parlament.