Turqia vendos orë policore 82-orëshe

E publikuar: 22/04/2021 12:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Si masë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, Turqia ka vendosur orë policore që do të zgjasë pandërprerë për tri ditë e katër net. Ora policore do të fillojë të enjten në mbrëmje dhe do të mbarojë të hënën në mëngjes.

Më saktësisht, ora policore do të fillojë nga ora 19 e 22 prillit dhe do të zgjasë deri në orën 5 të mëngjesit më 26 prill.

Gjatë kësaj periudhe në Turqi janë dy festa, shkruan Anadolu, transmeton Gazeta Express.Për ta parandaluar përhapjen e virusit, nuk do të lejohen tubime të mëdha për ta shënuar Ditën Kombëtare, përpos një ceremonie zyrtare.

Pas shtimit të rasteve dhe viktimave, duke filluar nga java e kaluar, autoritetet turke kanë marrë masa shtesë për dy javët e para të muajit të Ramazanit.

Kafenetë dhe restorantet do të kenë të drejtë vetëm të shesin ushqim, por jo t’i shërbejnë klientët brenda lokaleve, ndërsa sallat e dasmave, qendrat sportive dhe sallat për lojëra do të jenë të mbyllura deri në fund të Ramazanit.