Turqia thotë se Uashingtoni nuk do të furnizojë me armë militantët kurdë në Siri

E publikuar: 28/01/2018 06:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Turqia tha të shtunën se Uashingtoni është zotuar të ndalë furnizimin me armë të forcave kurde YPG në Siri, ndërsa ofensiva e Turqisë kundër grupit të mbështetur nga Shtetet e Bashkaura hyri në ditën e tetë.

Presidenca turke tha në një deklaratë se Këshilltari amerikan i Sigurisë Kombëtare H.R. McMaster foli të premten me Ibrahim Kalin, një zëdhënës i presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan. McMaster konfirmoi në bisedën telefonike se Shtetet e Bashkuara nuk do t’i jepnin armë milicisë së grupit YPG, thuhet në deklaratë. Nuk ka pasur konfirmim nga ana e Shteteve të Bashkuara.

Marrëdhëniet ndërmjet dy aleatëve të NATO-s janë tensionuar nga ofensiva e Turqisë dhe mbështetja me armëve e grupit YPG nga Uashingtoni.

Të premten, Presidenti Erdogan u shfaq sfidues dhe paralajmëroi se është i përgatitur të konfrontohet me Shtetet e Bashkuara për ndërhyrjen ushtarake të Turqisë në Sirinë veriore, dhe u zotua se objektivi i radhës i operacionit do të jetë qyteti kurd ku ndodhen njësitë speciale amerikane.

Duke folur më tone sfiduese në një takim në Ankara me anëtarët e Partisë së tij për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), zoti Erdogan shpërfilli thirrjet amerikane për kufizimin e operacionit të filluar një javë më parë dhe saktësoi se objektivi i radhës do të jetë qyteti Manbij dhe në vazhdim deri në lindje të kufirit irakian “derisa të mos mbetet asnjë terrorist”.

Ky veprim mund të vendosë forcat turke kundër gati 2.000 trupave amerikane që janë në Siri si pjesë e një koalicioni ndërkombëtar për të eleminuar lëvizjen militante të Shtetit Islamik në Siri.

Agjensia e lajmeve Reuters njoftoi se Ministri i Jashtëm turk Cavusoglu tha sot se Shtetet e Bashkuara duhet të tërhiqen menjëherë nga rajoni Manbij, duke dhënë kështu tregues se ofensiva do të ndodhë shumë shpejt.