Turqia me presion të fuqishëm global kundër Gulenit

E publikuar: 22/07/2016 15:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas përpjekjes për grushtshtet në Turqi, beteja kundër lëvizjes Gulen është në formësim e sipër deri në Kirgizi.

Në Bishkek ndodhen dy universitete, që radhiten në mesin e institucioneve më të mira arsimore në vend. Njëri, Universiteti Manas, financohet nga Qeveria turke; tjetri, Universiteti Ataturk-Alatoo financohet nga rrjeti global arsimor i Fethuallah Gulenit, njeriut që Ankaraja e fajëson për përprpjekjen për grushtshtet, e cila ka lënë të vrarë qindra veta.

Gulen, i cili jeton në mërgim në Shtetet e Bashkuara qysh më 1999, mohon çdo përfshirje.

Menjëherë pas dështimit të puçit, rektori kirgiz i Universitetit Manas organizoi një forum për të dënuar rebelimin ushtarak në Turqi. Sebahattin Balf e shfrytëzoi forumin për të paralajmëruar qytetarët se grupi Gulen “mund t’i nxisë njerëzit në Kirgizi të bëjnë gjëra të tmerrshme në vendin e tyre”.

Parlajmërimi i rektorit nuk ka rënë në veshë të shurdhër. Ai ka rezonuar te studentët në institucionin e tij, të cilët ndjejnë se si rrjeti i Gulenit është një organizatë e errët, qëllimi i së cilës mund të shkojë përtej qëllimeve të saj të deklaruara, si promovimi i arsimit, shërbimit publik dhe vlerave konservatore të Islamit.

“Shumë njerëz thonë se ata mund të përpiqen të marrin pushtetin”, thotë Aigul, e cila studion në Universitetin Manas. “Është vështirë të thuhet se kush ka të drejtë e kush jo. E kam parë se si studentët e Gulenit rrinë bashkë, ndihmojnë njëri-tjetrin, edhe pse nuk mendoj se ata mund të paraqesin rrezik ose kërcënim”, thotë Aigul.

Por, pikëpamjet e tilla sfidohen nga profesorët dhe studentët e Universitetit Ataturk-Alatoo, i themeluar nga lëvizja e Gulenit.

“Çfarë idesh ose parimesh promovon Gulen? Arsimin, unitetin, nënvizon rëndësinë e matematikës, biologjisë, kimisë dhe shkencave të tjera. Pse këto ide mund të duken të dyshimta”, pyetet Nurdin Kaparov, mësimdhënës në Universitetin Ataturk-Alatoo.

Ky debat ka të ngjarë të shpërndahet në shumë vende, pasi Ankaraja ka shtypur fuqishëm lëvizjen Gulen në Turqi dhe pret nga shtetet e tjera ta bëjnë të njëjtën. Qëllimi është të goditetet burimi i financimit të këtij rrjeti global që drejton shkolla në rreth 150 vende të botës.

“Është një luftë kundër Gulenit, e cila është fokusuar në situatën e brendshme në Turqi dhe në Shtetet e Bashkuara, sepse Gulen jeton atje. Vala tjetër do të fokusohet kudo ku Gulen ose ndjekësit e tij operojnë. Pres që Ankaraja të rrisë presionin në këto vende”, thotë Wolfango Piccoli, ekspert për Turqinë në Teneo Intelligence, një shërbim këshillues në SHBA.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i ka bërë thirrje SHBA-së që të ekstradojë Gulenin për përfshirjen e tij të dyshuar në përpjekjen për grushtshtet, duke e quajtur atë “terrorist”. Megjithatë, nuk ka ende ndonjë kërkesë zyrtare. Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka thënë se Uashingtoni mund të konsiderojë ekstradimin, por vetëm në bazë të provave të fuqishme për keqbërje.

Më 20 korrik, Erdogan ka kërkuar nga kryeministri i Gjeorgjisë, Giorgi Kvirikashvili, të mbikëqyrë nga afër aktivitetet e shkollave të Gulenit në Gjeorgji. Po ashtu, konsulli i Turqisë në qytetin Batumi të Gjeorgjisë u ka kërkuar prindërve që të mos i dërgojnë fëmijët në shkollat e Gulenit, duke thënë se atje ligjërohet në përputhje me “ideologjinë terroriste”.

Ngjashëm, Erdogan i ka bërë presion edhe Azerbajxhanit. Pas një bisede telefonike midis tij dhe presidentit azerbajxhanas, Ilham Aliyev, Bakuja ka urdhëruar mbylljen e përkohshme të një televizioni privat, i cili ka planifikuar të transmetojë një intervistë me Gulenin.

Shumë shkolla të Gulenit janë mbyllur në Azerbajxhan në vitet e fundit, bazuar në kërkesat e Turqisë, njërit prej aleatëve më të afërt të Bakusë.