Turistët polakë kërkojnë të largohen, pronari i hotelit në Sarandë u mban peng pasaportat

E publikuar: 05/08/2015 03:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas rrahjes së djeshme të turistit francez në Dhërmi, një tjetër ngjarje e pakëndshme ka ndodhur sot në Sarandë.

Pronari i një hoteli, duke mos dashur të humbasë dy turistët polakë që kishin shkuar në biznesin e tij, u ka mbajtur pasaportat për rreth 3 orë.

Mësohet se dy turistët R.M, 37 vjec dhe D.M, 38 vjec, shkuan në hotelin e 31-vjecarit E.M për të pushuar.

Ata dorëzuan pasaportat për t’u regjistruar, por pasi panë dhomat, të cilat nuk i pëlqyen, vendosën për t’u larguar.

Por këtu nisi edhe konflikti, pasi pronari i hotelit nuk i kthente mbrapasht pasaportat. Ai s’donte që turistët të shkonin në një hotel tjetër.

Çështja është zgjidhur me ndërhyrjen e inspektorit të policisë. Pas tre orësh turistët polakë morën sërish pasaportat e tyre./Lapsi.al/