Tunizia vret një “terrorist shumë të rrezikshëm”

E publikuar: 29/03/2015 13:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Autoritetet tuniziane thonë se e kanë vrarë njërin nga militantët e lidhur me sulmin që ka ngjarë në një muze disa ditë më parë, sulm i cili ka lënë të vdekur 21 turistë.

Lokman Abu Sakhra, sipas BBC-së, është vrarë të shtunën ndërsa është njëri nga nëntë militantët e armatosur të cilët kanë kryer sulme.

Një zëdhënës qeveritar e ka përshkruar atë si një “terrorist shumë të rrezikshëm”.

Mijëra persona janë bashkuar në marshin e solidaritetit që po mbahet në kryeqytetin e Tunizisë.

Presidenti francez, Francois Hollande, dhe personalitetet të tjera botërore, pritet t’i bashkohen marshit.

Së paku 21 turistë të huaj janë vrarë më 18 mars kur persona të armatosur e kanë sulmuar një muze në Tunis. Në mesin e të vrarëve janë turistë britanikë, japonezë, francezë, italianë, etj.

Sot, presidenti i Francës, siç transmeton zeri.info, ka njoftuar se gruaja franceze e cila ishte plagosur gjatë sulmit, Huguette Dupeu, ka vdekur ngase nuk ka mundur të ju mbijetoj plagëve.

Një zëdhënës qeveritar ka thënë se sulmuesi i dyshuar është vrarë në rajonin perëndimor Gafsa.

Zyrtarët e sigurisë kanë thënë se militantët ishin anëtar të brigadës Okba Ibn Nafaa, një grup xhihadistë që më parë i kishte marrë përsipër sulmet vdekjeprurëse kundër forcave të sigurisë në vend.

Autoritetet në Tunizi kanë thënë se javën e kaluar i kanë arrestuar dhjetëra persona të dyshuar për lidhjet e tyre me sulmin në muze./Zëri/