Trumpi paralajmëron kufizime të reja vizash për punëtorët e huaj

E publikuar: 21/06/2020 10:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, të shtunën ka thënë se pas disa ditësh do të njoftojë për kufizimet e reja të vizave për ta bllokuar hyrjen e punëtorëve të huaj dhe për t’i mbrojtur amerikanët që po përballen me vështirësi në tregun e punës, i cili është goditur rëndë nga pandemia.

“Ne do të japim njoftim për diçka rreth vizave nesër ose pasnesër”, tha kreu i Shtëpisë së Bardhë për kanalin Fox News. I pyetur nëse do të kishte përjashtime për persona të caktuar nga kufizimet e rea, ai tha se do të jenë shumë pak të tilla, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.

‘ Ju keni nevojë për to për bizneset e mëdha, ku ata kanë njerëz të caktuar që kanë ardhur për një kohë të gjatë, por do të ketë shumë pak përjashtime dhe ato do të jenë goxha të shtrënguara dhe ne mund të qëndrojmë shumë të shtrënguar për një periudhë kohore”, tha presidenti amerikan.

Kritikët thonë se Trumpi duket se është i vendosur që ta përdorë pandeminë për ta arritur qëllimin e tij të vjetër për kufizimin e imigrimit në Shtetet e Bashkuara. Qëndrimi i tij i ashpër ndaj imigrimit është në pjesën qendrore të premtimeve të tij para votuesve në kohën kur do të garojë për mandatin e dytë si president.

Kompani të rëndësishme amerikane, sidomos ato të sektorit të teknologjisë, i kanë bërë thirrje Trumpit që të përmbahet nga bllokimi i ardhjes së punëtorëve të huaj në Shtetet e Bashkuara, duke thënë se një veprim i tillë do ta dëmtonte ekonominë.

Në muajin prill, presidenti Trump dha urdhër për bllokimin e përkohshëm të disa të huajve nga e drejta e përhershme e banimit në Shtetet e Bashkuara.