Trump uron Thaçin për Pavarësi, rikthekson se fokusi duhet të jetë normalizimi i raporteve me Serbinë

E publikuar: 14/02/2020 15:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti amerikan Donald Trump i ka shkruar një letër presidentit të vendit Hashim Thaçi ku e ka uruar në emër të të gjithë amerikanëve përvjetorin e 12-të të Pavarësisë së Kosovës.

Në këtë letër, Trump rithekson se fokusi në këtë vit duhet të jetë te normalizimi i raporteve me Serbinë.

“Ju dëshirojmë sukses në vitin që ka filluar në fokusimin tuaj në normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, në forcimin e sundimit të ligjit si dhe në krijimin e kushteve për zhvillim sa më vibrant të sektorit privat.
E ardhmja e vendit tuaj është e ndritshme”.

Telegrami i plotë i Presidentit të SHBA-së Donald Trump dërguar Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi:

I nderuari President,

Populli amerikan së bashku me mua urojmë të gjithë qytetarët e Kosovës për 12 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Lidhjet e fuqishme në mes të Kosovës dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë farkëtuar nga përkushtimi i përbashkët për bërjen e Kosovës vend sovran, të pavarur, multi-etnik dhe demokratik.

E përgëzojmë Kosovën për zgjedhjet demokratike në muajin tetor dhe mirëpresim angazhimin e vazhdueshëm për të çuar përpara paqen, drejtësinë dhe prosperitetin për popullin e Kosovës si dhe tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ju dëshirojmë sukses në vitin që ka filluar në fokusimin tuaj në normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, në forcimin e sundimit të ligjit si dhe në krijimin e kushteve për zhvillim sa më vibrant të sektorit privat.
E ardhmja e vendit tuaj është e ndritshme. Shtetet e Bashkuara mbesin të përkushtuara për marrëdhëniet e fuqishme bilaterale, të mbështetura në punën e vyeshme të popullatës tuaj dinamike dhe në përcaktimin e përhershëm për vlerat tona të përbashkëta.

Sinqerisht,

Donald J. Trump