Trump, Putin dakord të mbështesin OKB-në në procesin e paqes për Sirinë

E publikuar: 22/11/2017 15:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti Donald Trump dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin ranë dakord të martën të mbështesin përpjekjet e Kombeve të Bashkuara për “të zgjidhur paqësisht” luftën civile afro shtatë vjeçare siriane.

Shtëpia e Bardhë tha se dy udhëheqësit folën për më shumë se një orë dhe theksuan se sa e rëndësishme është t’i jepet fund krizës humanitare, gjatë së cilës miliona sirianë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. Presidentët Trump dhe Putin thane se sirianët e zhvendosur duhet të lejohet të kthehen dhe duhet garantuar “stabiliteti i një Sirie të bashkuar, të çliruar nga ndërhyrje keqdashëse dhe terrorizmi”.

Zoti Trump pati një bisedë telefonike me zotin Putin, një ditë pasi udhëheqësi rus zhvilloi një takim me udhëheqësin sirian, Bashar al-Assad për një zgjidhje të mundshme politike të luftës civile që shkaktoi vdekjen e 400 mijë vetëve.

Shtëpia e Bardhë tha se dy presidentët “konfirmuan se ishte e rëndësishme që të luftonin së bashku terrorizmin në gjithë Lindjen e Mesme dhe Azinë Qendrore dhe ranë dakord të eksplorojnë rrugët për bashkëpunuar më tej në luftën kundër ISIS-it, al-Kaidës, Talebanëve dhe organizatave të tjera terroriste”.

Ata folën gjithashtu për mënyrat “e vënies në jetë të një paqeje afatgjatë në Ukrainë”, ku separatistë pro-rusë luftojnë me trupat besnike ndaj Kievit dhe se si të vazhdojnë të ushtrojnë trysni ndërkombëtare ndaj Koresë së Veriut për t’i dhënë fund programeve bërthamore dhe zhvillimit të raketave.

Kremlini tha të martën se e kishte thirrur Assadin në Rusi, për bisedime me zotin Putin në Sochi lidhur me propozimet ruse të paqes për Sirinë, para takimit të nivelit të lartë të zotit Putin të mërkurën me Presidentin turk Recep Tayyip Erdogan dhe presidentin iranian, Hassan Rouhani.

Rusia e ka mbështetur regjimin e zotit Assad me goditje ajrore që nga fundi i vitit 2015 kundër grupeve që përpiqen të përmbysin regjimin e tij. Luftëtarët iranianë gjithashtu mbështesin Damaskun ndërsa Turqia mbështet opozitën siriane.

Assad shprehu mirënjohjen ndaj zotit Putin “për të gjitha përpjekjet që Rusia ka bërë për të shpëtuar vendin tonë”.

Presidenti Putin, sipas Kremlinit, i tha Assadit se “operacioneve ushtarake ruse po u vjen fundi. Falë ushtrisë ruse, Siria është shpëtuar si shtet. Është bërë një punë e madhe për të stabilizuar gjendjen në Siri”.

Ai lavdëroi Assadin dhe tha se parashikonte që terrorizmi do të pësonte një disfatë “të pashmangshme” në Siri.

Kremlini citoi Assadin të thoshte “se është në interesin tonë të çojmë përpara procesin politik…nuk duam të kthejmë kokën pas dhe jemi të gatshëm për dialog me të gjithë ata që duan të ofrojnë një zgjidhje politike”.

Bisedimet e paqes për Sirinë të udhëhequra nga Kombet e Bashkuara, janë planifikuar për më 28 nëntor në Gjenevë.