Trump për Iranin: Njerëzit më në fund po ngrihen kundër regjimit të egër

E publikuar: 04/01/2018 09:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i SHBA Donald Trump vlerësoi të martën protestuesit iranianë, duke thënë se “më në fund ata po veprojnë kundër regjimit të egër dhe të korruptuar” në Teheran. Komentet vijnë ndërkohë që udhëheqësi suprem i Iranit akuzoi armiqtë e jashtëm për nxitjen e protestave që filluan javën e kaluar.

Zoti Trump tha në një koment në Twitter se “të gjitha paratë” që paraardhësi i tij, ish-Presidenti Barack Obama i dha “aq pa mend” Iranit si pjesë e një marrëveshjeje ndërkombëtare të vitit 2015 për të frenuar programin iranian për zhvillimin e armëve bërthamore “u përdorën për terrorizëm dhe përfunduan në xhepat e tyre.” Njerëzit kanë pak ushqim, inflacioni është i lartë dhe të drejtat e njeriut nuk ekzistojnë. SHBA po vëzhgojnë!” shkruan Presidenti Trump.

Nikki Haley, ambasadore e SHBA në Kombet e Bashkuara, tha se Shtetet e Bashkuara do të kërkojnë të thërrasin një sesion urgjent të Këshillit të Sigurimit për të diskutuar mbi protestat, të cilat kanë marrë të paktën 21 jetë njerëzsh në gjashtë ditët e fundit.

“Populli i Iranit po kërkon liri,” tha zonja Haley.

Ndërkohë, udhëheqësi suprem i Iranit akuzoi armiqtë e Republikës Islamike për nxitjen e protestave të dhunshme anti-qeveritare.

“Ditët e fundit, armiqtë e Iranit përdorën mjete të ndryshme, duke përfshirë paratë, armët, politikën dhe zbulimin për t’i krijuar probleme Republikës Islamike”, tha Ayatollah Ali Khamenei në një deklaratë në televizionin shtetëror dhe në një postim në faqen e tij zyrtare. Khameei tha se do t’i drejtohej vendit në kohën e duhur për ngjarjet e fundit.

Televizioni shtetëror iranian tha të martën se nëntë vetë u vranë gjatë protestave anti-qeveritare, duke e rritur numrin e përgjithshëm të të vrarëve në më shumë se 20, që nga fillimi i protestave kundër gjendjes ekonomike në fund të javës së kaluar.

Sipas njoftimeve, gjashtë vetë u vranë në një stacion policor në qytetin Qahdarijan gjatë përleshjeve që filluan kur protestuesit u përpoqën të vjedhin armë.

Në Najafabad, mediat shtetërore thanë se një oficer policie u vra.

Dhuna e fundit vjen disa orë pasi Presidenti Hassan Rouhani deklaroi se do të shtypte ata që shkatërronin ose shkelnin ligjin.

“Mendoj se ajo që ndodhi ditët e fundit, në pamje të jashtme duket si kërcënim por duhet ta kthejmë në një mundësi. Duhet të analizojmë se ku qëndron problemi. Nuk mund të themi që të gjithë ata që kanë dalë nëpër rrugë kanë urdhra nga vende të tjera. Disa ndoshta, por të tjerë kanë dalë në rrugë sepse ashtu e ndjejnë dhe për shkak të problemeve të tyre. Ato nuk janë vetëm ekonomike. Njerëzit nuk kanë dalë vetëm të thonë se duan para, bukë, ujë. Ata kanë edhe kërkesa të tjera. Një prej tyre është një ambjent më i lirë. Kërkesat nuk janë vetëm për para, jo vetëm për ekonominë megjithëse njëra prej tyre është për ekonominë”, tha Rouhani.

Qindra demonstrues janë arrestuar që kur protestat filluan të enjten në Mashhad përpara se të përhapeshin në pjesë të tjera të vendit.

Protestuesit kundër qeverisë janë të shqetësuar me vështirësi ekonomike, si papunësia e lartë dhe rritja e çmimeve të ushqimeve.

Administrata e Presidentit Donald Trump i bëri thirrje Iranit të ndalë bllokimin e mediave sociale, si Instagram dhe Telegram, duke i quajtur ato “mjete legjitime të komunikimit.” Nënsekretari i Shtetit, Steve Goldstein tha se SHBA po i inkurajojnë iranianët të përdorin rrjete virtuale private, VPN, për të shmangur censurën në internet.

Hussein Banai, asistent profesor në Universitetin e Indianës, i tha Zërit të Amerikës se vështirësive ekonomike dhe shpërndarja e pabarabartë të pasurisë kanë qenë një problem i Iranit që nga revolucioni i vitit 1979, por tani ka faktorë shtesë që ndihmojnë në nxitjen e protestave.

“Ajo që është e ndryshme këtë herë është mënyra e dukshme me të cilën anëtarët e lartë të regjimit shpenzojnë paratë publike, ose paratë e livruara rishtazi me heqjen e sanksioneve,” tha Banai.

Ai shtoi se protestat e kaluara kanë qenë të udhëhequr nga studentë, akademikë dhe aktivistë, por tani ata që protestojnë janë shtresat punëtore dhe e bëjnë këtë në një mënyrë më pak të organizuar.

Në një fjalim përpara udhëheqësve parlamentarë, Rouhani sulmoi shtetet e huaja, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Izraelin dhe Arabinë Saudite, për nxitjen e trazirave në Iran.

“Përparimi dhe suksesi ynë në botën e politikës si dhe kundër SHBA-së dhe regjimit sionist nuk tolerohej dot prej tyre,” tha ai, duke veçuar Arabinë Saudite për komentet e saj do të “krijonte probleme në Teheran”.

REAGIME NDAJ PROTESTAVE

Ministria e jashtme e Turqisë tha të martën se shpreson që ndërhyrjet e jashtme do të shmangen dhe se është e shqetësuar për viktimat e njoftuara. Në një deklaratë të ministrisë thhuhej se dhuna dhe “provokimet” duhet të shmangen.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu i quajti protestuesit “trima” dhe “heronj”, duke u uruar atyre “sukses në dëshirën e tyre fisnike për liri”.

Sekretari i Jashtëm britanik Boris Xhonson tha se qeveria e tij shpreh keqardhje për “humbjen e jetëve në protesta” dhe u bëri thirrje të gjitha palëve të përmbahen nga dhuna.

“Ne besojmë se duhet të ketë debat kuptimplotë për çështjet legjitime dhe të rëndësishme që protestuesit po ngrenë dhe ne shpresojmë që autoritetet iraniane ta lejojnë këtë,” tha zoti Johnson.

Ndërsa Rusia tha se demonstratat janë një “çështje e brendshme” e Iranit dhe se ndërhyrja e jashtme është e papranueshme.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres bëri një deklaratë mbi protestat në Iran. “Sekretari i Përgjithshëm ndjek me vëmendje njoftimet për protesta në disa qytete të Iranit. Shprehim keqardhje për njoftimet mbi humbje jetësh dhe shpresojmë që dhuna e mëtejshme të shmanget. Shpresojmë që e drejta e popullit iranian për grumbullime dhe shprehje paqësore të respektohet”, tha zëdhënësi i zotit Guterres.

Presidenti Rouhani i minimizoi trazirat, duke thënë, “Kjo nuk është asgjë.”

“Vendi ynë do t’i tregojë vendin kësaj pakice që hedh parrulla kundër ligjit dhe dëshirave të njerëzve dhe që fyen vlerat e revolucionit”, tha presidenti iranian.

“Njerëzit janë absolutisht të lirë në shprehjen e kritikave dhe madje edhe të protestave, por kritikat ndryshojnë nga dhuna dhe shkatërrimi i pronës publike”, tha ai