Trump: Nëse Iraku dëbon trupat amerikane do të përballet me sanksione të ashpra ekonomike

E publikuar: 06/01/2020 09:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka kërcënuar Irakun me vënie të sanksioneve të ashpra ekonomike.

Këto reagime vijnë menjëherë pasi parlamenti i kësaj të fundit u ka bërë thirrje trupave amerikane që të largohen nga shteti.

“Ne do t’i ngarkojmë me sanksione ekonomike si kurrë më parë. Ne kemi atje një bazë ajrore jashtëzakonisht të shtrenjtë. Ka kushtuar miliarda dollarë për ta ndërtuar. Ne nuk do të largohemi përveç nëse ata na paguajnë për bazën”, u ka thënë Trump gazetarëve në bordin e Air One gjatë rrugës nga Uashingtoni në Florida, përcjell Telegrafi.

Tensionet vazhdojnë të jenë të larta pas vrasjes së gjeneralit Qasem Soleimani në Bagdad javën e kaluar, teksa Irani është zotuar se do të “hakmerret ashpër”.

Soleimani është konsideruar terrorist nga Shtetet e Bashkuara, derisa ai ka organizuar operacionet e ushtrisë iraniane në Lindje të Mesme. Udhëheqësi i ri i forcave elite iraniane, Esmail Qaani të cilat i ka udhëhequr Soleimani, është zotuar se do ta dëbojë SHBA-në nga Lindja e Mesme.

“Ne premtojmë se do ta vazhdojmë rrugën e dëshmorit Soleimani me të njëjtën forcë, kompensimi ynë i vetëm do të ishte largimi i Amerikës nga rajoni”, ka thënë Qaani.

Po ashtu, Trump pas vrasjes së Soleimanit ka paralajmëruar se nëse Irani sulmon ndonjë amerikan, atëherë SHBA do t’i kundërpërgjigjet pa hezitim hakmarrjes.

Sulmi me dron që ka lënë të vdekur Soleimanin, i ka marrë jetën edhe Abu Mahdi al-Muhandis, një figurë e lartë e ushtrisë irakiane, që ka udhëhequr grupin Kataib Hezbollah, i cili përkrahet nga Irani.