Trump konfirmon: SHBA kanë vrarë drejtuesin e Al-Kaedës të Gadishullit Arabik i cili mori përgjegjësinë për të shtënat masive në një bazë detare amerikane

E publikuar: 07/02/2020 09:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti amerikan Donald Trump ka konfirmuar se SHBA kanë vrarë drejtuesin e Al-Kaedës të Gadishullit Arabik i cili mori përgjegjësinë për të shtënat masive në një bazë detare amerikane.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Trump tha në një deklaratë të enjten se SHBA në drejtimin e tij kreu një operacion kundër-terrorizmit në Jemen që vrau Qassim al-Rimi

Al-Rimi është një themelues i Al-Kaedës në Gadishullin Arabik.

Grupi është konsideruar prej kohësh dega më e rrezikshme e rrjetit global për përpjekjet e saj për të kryer sulme në territorin e SHBA-së.

Po sipas mediave, grupi xhihadist mori përgjegjësinë për të shtënat vdekjeprurëse të vitit të kaluar në Stacionin Detar Ajror Pensacola, ku një trajner saudit i aviacionit vrau tre marinarë amerikanë.

Ndërsa Trump konfirmoi raportet se al-Rimi ishte vrarë, ai nuk tha kur u krye operacioni i SHBA ose të ofronte ndonjë detaj rreth mënyrës se si u krye.

Sidoqoftë, ai tha që SHBA dhe aleatët e saj janë më të sigurt si rezultat i vdekjes së al-Rimi.

“Ne do të vazhdojmë ta mbrojmë popullin amerikan duke gjurmuar dhe eliminuar terroristët që kërkojnë të na bëjnë dëm”, ka thënë Trump.