Trump: Grenell do ta vazhdojë angazhimin në bisedimet Kosovë-Serbi

E publikuar: 23/02/2020 22:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e ka konfirmuar sot në Shtëpinë e Bardhë, pasi është pyetur nga Zëri i Amerikës se si ndikon emërimi i Ambasadorit Richard Grenell si kreu në detyrë i shërbimeve inteligjente amerikane, ndërkohë që është edhe ambasador në Gjermani dhe ndërmjetës në bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit.

Trump ka thënë se Grenell do ta vazhdojë në detyrën e të dërguarit amerikan për Kosovën dhe Serbinë, transmeton Klan Kosova.

“Ambasadori do të vazhdojë pasi po bën një punë shumë të mirë. Ai i njeh mirë zyrtarët. Ka bërë punë fantastike. Do ta vazhdojë”.

“Të gjithë thoshin se ishte një marrëveshje e paarritshme, por ai e realizoi. Ishte diçka shumë pozitive për këto të dyja vende”, ka thënë Trump duke iu referuar marrëveshjes së fundit për rihapjen e transportit hekurudhor dhe rrugor Kosovë-Serbi.

Presidenti i bëri komentet në Shtëpinë e Bardhë para se të nisej për vizitën e tij në Indi.