Trump e përfundon turneun duke e vlerësuar “javë historike”

E publikuar: 28/05/2017 15:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti amerikan, Donald Trump, është kthyer në Washington, pas turneut nëntëditor në Lindjen e Mesme dhe në Evropë, derisa mediet kanë raportuar se ai po e shqyrton mundësinë e ndryshimeve madhore në Shtëpinë e Bardhë.

Aeroplani i tij ateroi të dielën vonë në Uashington, pas fluturimit nga Sicili, ku u takua me liderët e Grupit të shtatë fuqive industriale (G-7) për të diskutuar për tregti, terrorizëm dhe ndryshime klimatike.

Duke ecur së bashku me zonjën e parë, Melania, presidenti Trump i përshëndeti gazetarët derisa hyri në Shtëpinë e Bardhë, por nuk bëri komente.

Washington Post, New York Times, Reuters, dhe media të tjera, kanë raportuar se Trump po e shqyrton krijimin e të ashtuquajturës “dhomë lufte” për t’u marrë me një numër në rritje të pyetjeve për fushatën e tij presidenciale dhe përzierjen ruse në zgjedhjet amerikane të vitit 2016.

Në raporte theksohet se Corey Lewandovski, që u shkarkua si menaxher i fushatës para afro një viti, pastaj David Bossie, që ishte zëvendësmenaxher fushate, dhe shefi i strategëve, Stephen Bannon, mund ta udhëheqin këtë “dhomë lufte”.

Po shqyrtohen edhe ndryshime të tjera personale në Shtëpinë e Bardhë, thuhet në raporte.

Këto lëvizje potenciale po bëhen në periudhën pasi mediet raportuan se hetimi për rolin e Rusisë në zgjedhjet amerikane dhe ndikimin pas zgjedhjeve, ka lëvizur te qarqet e brendshme të presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Washington Post dhe New York Times kanë raportuar se Jared Kushner, dhëndër i Trumpit dhe këshilltar i lartë i tij, kishte synuar një linjë sekrete të komunikimit me Moskën, para inaugurimit të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, më 20 janar.

Në konferencën për shtyp në Sicili, këshilltarët e Shtëpisë së Bardhë, H.R. McMaster dhe Gary Cohn, kanë refuzuar të komentojnë direkt te gazetarët.

“Ne nuk do të bëjmë komente për Jaredin”, tha Cohn.

Shtëpia e Bardhë ka zgjedhur të fokusohet në udhëtimin e parë të jashtëm të presidentit, të cilin Trump e ka quajtur “javë e vërtetë historike”.

Liderët e grupit G-7 kanë shpallur se janë pajtuar për ndërmarrjen e hapave të mëtejshëm në luftimin e terrorizmit.

Liderët thanë, po ashtu, se i kanë zvogëluar dallimet për tregti, derisa presidenti Trump në rrjetin Twitter ka shkruar se vendet G-7 po synojnë t’i përfundojnë “të gjitha praktikat e deformuara tregtare”.

Megjithatë, presidenti amerikan ka refuzuar për të shprehur përkushtim nëse Shtetet e Bashkuara do të mbeten pjesë e marrëveshjes për ndryshime klimatike të arritur në vitin 2015 në Paris, për uljen e transmetimit të gazrave.

Në deklaratën përfundimtare, Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia dhe Japonia, e kanë riafirmuar “përkushtimin e tyre të fuqishëm” për implementimin e kësaj marrëveshjeje.

“Shtetet e Bashkuara janë në proces të rishqyrtimit të politikave të veta për ndryshim klimatik dhe sa i përket Marrëveshjes së Parisit, nuk është në pozitë t’i bashkohet konsensusit për këto çështje”, thuhet në deklaratën përfundimtare.

Trump tha se vendimin përfundimtar lidhur me këtë çështje do ta bëjë javën e ardhshme.

Turneun e tij të parë të jashtëm presidenti amerikan e ka përfunduar me fjalimin para ushtarëve të Shteteve të Bashkuara dhe familjeve të tyre në Bazën Detare Ajrore Sigonella në Sicili.

Me këtë rast tha se udhëtimi ishte i gjatë. Më vonë ai tha se kishte pasur “një javë vërtet historike”.

Sa i përket NATO-s, zoti Trump tha se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë “pas NATO-s gjatë gjithë rrugës”./REL/