Tronditëse: Viktimat e trafikimit në Kosovë, nën moshën 18-vjeçare

E publikuar: 21/10/2016 12:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Trafikimi me qenie njerëzore në Kosovë po bëhet një shqetësim gjithnjë e më i madh. Viktimat e trafikimit, janë edhe persona nën moshën 18 vjeç.

Autoritetet e rendit thonë se në nëntëmujorin e parë të këtij viti janë identifikuar 24 viktima të trafikimit, me ç’rast janë arrestuar 145 persona të dyshuar si trafikantë.

Ndërkaq, për vitin 2015, statistikat flasin se janë identifikuar 30 viktima të trafikimit, derisa janë arrestuar 178 persona që ndërlidhen me këto raste.

Rreth gjysma e këtyre viktimave të trafikimit që shfrytëzohen kryesisht për prostitucion janë fëmijë.

Riza Murati shef i Sektorit Qendror të trafikimit me qenie njerëzore në Policinë e Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se që nga viti 2010 janë fuqizuar kapacitetet policore në luftimin e kësaj dukurie, ndonëse ende mbetet sfidë.

“Trafikimi me qenie njerëzore mbetet një prej fenomeneve sfiduese edhe për Kosovën. Statistikat flasin se nga viti në vit numri është pothuajse i njëjtë dhe sillet nga 30 deri në 40 viktima të identifikuara”.

“Nga viti 2010 janë fuqizuar kapacitetet policore në luftimin e dukurisë. Vitin e kaluar është formuar edhe njësiti i hetimeve të trafikimit të të miturve që shfrytëzohen për qëllime të ndryshme për t`u trafikuar. Duhet cekur se 45 për qind e të trafikuarve janë nën moshën 18 vjeçare, që do të thotë se janë fëmijë”, ka thënë Murati.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, viktimat e trafikimit që shfrytëzoheshin për qëllime seksuale, ishin nga vende të ndryshme të Evropës, ndërsa sipas autoriteteve të rendit, këto vitet e fundit numri më i madh janë viktima nga Kosova.

Me rritjen e numrit të viktimave nga vendi, është shtuar edhe nevoja e rehabilitimit dhe ri-integrimit të këtyre viktimave në shoqëri nga momenti kur zbulohen rrjetet e trafikimit.

Përfaqësuesja e Qendrës për Mbrojtjen e Viktimave dhe Parandalimin e Trafikimit me Njerëz, Hamijete Dedolli, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se çështja e trafikimit me njerëz vazhdon të jetë një shqetësim dhe sfidë për Kosovën.

Ajo përmend mungesën e përkrahjes financiare nga institucionet përgjegjëse për mbështetje të viktimave.

“Kemi buxhet deri në fund të këtij viti. Ne jemi organizatë që ofrojmë asistencë, rehabilitim dhe ri-integrim të viktimave të trafikimit”, thotë ajo.

“Kemi sfida të përditshme se si t’i ndihmojmë viktimat e trafikimit, ndonëse viktima ka dhe kanë nevojë për rehabilitim dhe ri-integrim. Numri më i madh i viktimave janë fëmijë”, thotë Dedolli.

Tutje, Dedolli thekson, po ashtu se në këtë qendër marrin shërbime shumë viktima, qofshin shërbime ditore apo edhe qëndrim dhe ri-integrim. Kurse, në mungesë të mjeteve, nga fillimi i vitit të ardhshëm, sipas saj, qendra rrezikon të mbetet pa shërbime.

“Për momentin i kemi pesë viktima në rehabilitim, derisa të tjera janë në ri-integrim, por ka edhe ato që vijnë për shërbime ditore, qoftë për seanca me psikolog, apo edhe të ushqehen”.

“Ne punojmë me ri-integrim vetëm atëherë kur marrin donacione, duke i ndihmuar gratë qoftë me ndonjë kurs profesional, apo të paguajmë qira për ndonjë grua”.

“Ministria e Punës paguan 2500 euro në muaj për gjitha shërbimet që ne u ofrojmë të gjitha viktimave, e që është sfidë dhe mbetet problem serioz mungesa e buxhetit, pasi viktima po ka, e buxhet jo”, thotë Dedolli.

Kohë më parë, Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) kishte vlerësuar se Qeveria e Kosovës nuk i plotëson në tërësi standardet minimale për eliminimin e trafikimit.

Raporti, kishte vlerësuar se korrupsioni qeveritar krijon “një ambient që mundëson disa prej krimeve të trafikimit”, derisa kujton se “disa oficerë policorë, punonjës të Ministrisë së Punës dhe zyrtarë të tjerë qeveritarë janë akuzuar apo dënuar për krime të trafikimit”.

DASH-i kishte vlerësuar se Kosova është edhe burim dhe vend destinacioni për burra, gra dhe fëmijë që janë viktima të trafikimit për seks dhe punë të detyrueshme, përfshirë edhe në industrinë e restoranteve.

Grupet kriminale në Kosovë, sipas DASH-it, nuk detyrojnë në prostitucion vetëm vajza nga Kosova, por edhe nga Shqipëria, Moldavia, Rumania, Serbia dhe vende të tjera evropiane.

Luftimi i dukurisë së trafikimit, besohet se do të intensifikohej sikur Policia e Kosovës të ishte anëtare e mekanizmave ndërkombëtarë të sigurisë, si; Interpoli dhe Europoli, pjesë e të cilave Kosova tash për tash nuk mund të jetë. (REL)