Tri Republikat e Kosovës nga Kurti

E publikuar: 02/07/2018 09:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sot shënohet 28 vjetori i Republikës së Parë të Kosovës, që u shpall më 2 korrik të vitit 1990 përmes Deklaratës Kushtetuese e cila u nënshkrua prej 114 delegatëve nga shumica shqiptare e pakicat boshnjake e turke.

Këtë e ka përkujtuar kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke shtuar se “Delegatët u mblodhën jashtë dyerve të Kuvendit, sepse nuk lejoheshin të hynin aty, në kushtet e represionit të pushtetit të Serbisë”.

Ka thënë se me shpalljen e Deklaratës Kushtetuese ata i dhanë formë e përmbajtje për herë të parë Republikës së Kosovës, si një republikë-për-rezistencë.

“Në deklaratë përmenden konceptet më të rëndësishme, “vetëvendosja politike” dhe “demokracia autentike”, si baza të shtetformimit modern, republikan e demokratik edhe pse nën okupim. Paradoksalisht, në liri e me pavarësi të shpallur, në Republikën e Dytë që tani i mbushi një dekadë, u shfaq arbitrariteti dhe mohimi i demokracisë e i vetëvendosjes. Kjo na obligon të çojmë përpara projektin tonë për Republikën e Tretë, ku liria më në fund do të bashkohet me demokracinë, vetëvendosjen, zhvillimin e drejtësinë”, ka shkruar Kurti në profilin e tij në Facebook, transmeton Koha.net.

“Shpresoj që Kryeministri dhe Kryeparlamentari nuk do të bëjnë ndonjë organizim a ceremoni sot. Pas ceremonisë së dështuar për 140 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit vetëm sa do të shkaktojnë njëherë ankth e pastaj zhgënjim te qytetarët”, ka përfunduar ai.