Treshja e monopolit për homologim për një fjalë të vetme (Dokumente)

E publikuar: 02/05/2018 15:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një fjalë e vetme ka mjaftuar të hiqet nga Ligji për automjete dhe Ministria e Infrastrukturës t’i krijojë favor prej qindra mijëra eurosh një kompanie private. Kjo vërtetohet me anë të një shkrese të cilën ministri Pal Lekaj ia ka dërguar dekanit të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, Ahmet Shala, ditën kur ia ka kumtuar lajmin se A-testet nuk do të kryheshin më nga kuadri i Fakultetit që ai e drejton, shkruan AktivPress.

Në atë shkresë të cilën e disponon edhe gazeta shprehimisht Lekaj i thotë Shalës se: “Siç e dini, Ligji nr.05/-132 për Automjete (GZ.Nr.15, dt.11 maj 2017) ka larguar shprehjen ‘atest’ ndërsa të gjitha veprimtaritë e kësaj e kësaj kategorie i konsideron t’i takojnë fushës së homologimit të cilat janë të përshkruar në nenin 27 dhe 81 të këtij ligji”.

Bazuar në të këtë të dhënë, del se ndryshimet në ligj janë bërë në kohën e qeverisjes së Isa Mustafës, përkatësisht në kohën kur Ministria e Infrastrukturës është drejtuar nga Lutfi Zharku. Por atëherë nuk është marrë ndonjë veprim pasi Qeveria Mustafa po kalonte nëpër një krizë e cila e qoi deri në rënie. Por heqjen e fjalës “A-test” e ka shfrytëzuar Lekaj dhe përfundimisht ka arritur t’ia marrë Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike një punë që e ka kryer nga viti 1985 e këndej.

AktivPress, ka raportuar për herë të parë për këtë rast, por po bëhen gati tri javë që Ministria e Infrastrukturës nuk ka dhënë asnjë përgjigje pse ka vendosur që njëanshëm të ndërpres marrëveshjen me Fakultetin e Inxhinierisë dhe punën e njëjtë t’ia besojë një kompanie private. Kallxo.com, ditë më parë ka raportuar se A-testet tash e tutje t’i bëjë kompania “EuroLab” që operon me Qendrën e Automjeteve të Kosovës.

Me këtë rast, pretendohet se vetëm për një vit, Qendra e Automjeteve të Kosovës do t’i ketë të garantuara rreth 300 mijë euro qarkullim  vetëm nga ‘A-testimi”. “Të hyrat, me i llogarit prej vitit 1999 e deri më tash, me nxjerrë një mesatare dalin diku 250 mijë deri 300 mijë euro në vit”, ka thënë dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, Ahmet Shala në një intervistë për këtë medium.

Rrjedhimisht, nëse kompanie private do të ketë një kontratë disa vjeçare i bie që përfitimet e saj të jenë milionëshe. Kur paratë nga A-testet janë mbledhur nga Fakulteti i UP-së, 40% të tyre kanë shkuar në buxhetin e përbashkët të Universitetit të Prishtinës, 10% për buxhetin e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike dhe 50 % kanë shkuar për stafin që kryen këtë veprimtari.

Për këtë zhvillim ka reaguar së voni edhe Autoritetit Kosovar i Konkurrencës. Ky organ i pavarur ka bërë të ditur se gjatë fazës së hartimit të Udhëzimit Administrativ për cështjen në fjalë,  ka dhënë mendimin profesional duke e rekomanduar Ministrinë e Infrastrukturës që t’i rishikojë nenet e caktuara për të cilat Autoriteti ka konsideruar që bien ndesh me Ligjin për mbrojtjen e konkurrencës.

Me këtë rast, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka shprehur shqetësimin për miratimin e këtij udhëzimi administrativ duke u shpërfillur vërejtjet dhe rekomandimet e AKK-së. “Autoriteti kërkon nga Ministria e infrastrukturës që Urgjentisht ta merr për bazë mendimin profesional të Autoritetit, duke e ndryshuar këtë udhëzim administrativ, sepse si i tillë shpie në sjellje anti-konkurruese, dhe ç’rregullon dhe shtrembëron tregun përkatës. Në të kundërtën Autoriteti do t’i shfrytëzoj të gjitha mundësit ligjore, e gjithashtu këtë çështje do ta ngrisim edhe të institucionet tjera përkatëse”, është thënë në një komunikatë të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës.

Ndërkohë, njohësi i çështjeve ekonomike, njëherësh hulumtuesi në Institutin GAP, Agron Demi ka alarmuar se në trashjen e monopolit për homologim, janë përfshirë të gjitha partitë që kanë udhëheq deri tani Ministrinë e Infrastrukturës. Ai ka përkujtuar se sipas një analize të Institutit GAP, nga monopoli në homologim, në periudhën 2009-2015, konsumatorët kosovarë kanë humbur së paku 2.5 milionë euro. E si konstatim, Demi e ka nxjerrë se: Korrupsioni tek ne ec rrugëve, si zombie.