Trepçja do të funksionalizohet

E publikuar: 02/11/2017 10:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qeveria e Kosovës duket se nuk do të rrijë më duarkryq kur është në pyetje funksionalizimi i gjigantit ekonomik kosovar “Trepça”, kjo duke u bazuar në ligjin e miratuar në Kuvendin e Kosovës para gati një viti.

Prejse është miratuar Ligji për “Trepçën” në Kuvendin e Kosovës Qeveria e Isa Mustafës nuk kishte arritur që t’i formojë dy bordet, atë Mbikëqyrës dhe Bordin Manexhues, pa të cilët nuk ka mundur të zbatohet ligji, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Bordet nuk ka arritur t’i formojë as Qeveria e re e Republikës së Kosovës, që udhëhiqet nga Ramush Haradinaj.

Haradinaj u ka rekomanduar tri ministrive që të veprojnë shpejt për ta zbatuar Ligjin për “Trepçën”, e njëri prej ministrave, ai i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka, ka premtuar në Mitrovicë, të martën, se Bordi Menaxhues i “Trepçës” do të formohet shpejt.

Sipas tij, në nëntor do të shpallet konkursi për anëtarë të Bordit Menaxhues të “Trepçës”, me çka edhe do t’u hapen rrugë investimeve në “Trepçë”.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, i cili ka qëndruar në Mitrovicë të martën dhe ka takuar kryetarin Agim Bahtiri, ka siguruar se Mitrovica do ta ketë mbështetjen e Qeverisë së Kosovës në të gjitha fushat e zhvillimit. Lluka e Bahtiri kanë biseduar për shumë çështje që i përkasin zhvillimit të Mitrovicës.