Trepça fiton duelin e skuadrave të fundit në tabelë

E publikuar: 28/01/2021 17:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Trepça ka mposhtur të enjten në Gjakovë Vëllaznimin në kuadër të Superligës së Kosovës në basketboll, me rezultat 83:82.

Ndeshja ishte e vlefshme për xhiron e 18-të.

Për Trepçën, kjo është fitorja e tretë në katër ndeshjet e fundit derisa Vëllaznimi prej xhiros së 11-të nuk di për fitore.

Me këtë fitore, Trepça është ngritur në pozitën e parafundit në tabelë me 23 pikë, një më shumë se Vëllaznimi që ka rënë në vendin e fundit.

Drilon Hajrizi me “double-double” prej 34 pikëve e 13 kërcimeve ishte më i dalluari te Trepça. Lojë të mirë te ekipi mysafir tregoi edhe Ivan Koljeviq që ndeshjen e mbylli me 16 pikë, gjashtë kërcime e gjashtë asistime.

Te skuadra e Vëllaznimit, Cendrik Council e Robert Shestani realizuan nga 18 pikë derisa pikë dyshifrore regjistruan edhe Deandre Ray (15) e Emmanuel Emogbo(14).