“Trenat” me mallra nga Serbia që nuk ndalen

E publikuar: 15/01/2017 13:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shën Stefani u kthye të njëjtës rrugë që ishte nisur nga Beogradi. Bashkë me “të shenjtët” e tjerë serb duket se kishin marrë “trenin e gabuar” për në Kosovën që nuk e njihnin si të pavarur.

Por largë binarëve, ku ishte përqëndruar tërë vëmendja e institucioneve dhe qytetarëve, në heshtje rrugëve të asfaltuara kalonin kamionë plotë mallra për të mbushur dyqanet e kosovarëve.

Mielli, qumështi madje edhe uji për të shuar etjen kosovarët vjen me shumicë nga shteti prej të cilit Kosova u nda me luftë 17 vite më parë, shkruan Gazeta Fjala.

Produktet esenciale ushqimore, duke filluar nga pemët, perimet dhe ato të konservuara, janë mallrat më të importuar në Kosovë nga ky shtet.

Vetëm për gjashtë muaj vjet janë importuar nga Serbia 429 milionë kilogram mallra në vlerë 142 milionë euro. Kështu rreth 34 milionë kilogram grurë janë futur në Kosovë veç për gjashtë muajt, misër afro 21 milion kilogram si dhe 15 milionë kg të tjerë janë miell.

Sipas të dhënave të tregtisë së jashtme, mesatarisht çdo vit kosovarët dërgojnë në Serbi mbi 300 milionë euro për të blerë produkte ushqimore.

Të dhënat tregojnë se kosovarët zgjedhin para prodhimeve vendëse të qumështit ato me origjinë nga shteti fqinjë, shkruan Gazeta Fjala.

Përmes pikës kufitare të Merdares vjet deri në qershor është importuar djathë e gjizë në sasinë prej 38 mijë kilogramëve me vlerën e 82 mijë eurove. Qumësht jo i koncentruar që nuk përmban sheqer shtesë apo ndonjë lëndë tjetër ëmbëltuese shtesë është futur në Kosovë në sasinë prej 1 milion litrave me afro rreth 602 mijë euro, shkruan Gazeta Fjala.

Serbisë t’i vihen sanksione

E derisa institucionet e vendit përpiqeshin të gjejnë alternativë si ta ndalin trenin që ishte nisur nga Serbia me ikona fetare e mbishrime në 21 gjuhë të botës se “Kosova ëshët Serbi”, njohësit e ekonomisë dhe qytetarët apelonin për sanksione ekonomike.

Drejtori i Institutit për Studime Strategjike “Riinvest”, Lumir Abdixhiku është njëri nga ta.

“Ne mund të mos kontrollojmë gjithë veriun, por kontrollojmë gjithë pjesët tjera të vendit tonë. Kosova mund të bllokojë secilin mall tjetër që vjen këndej. Kosova mund t’i shkaktojë humbje milionëshe në ditë Serbisë. Po e përsëris, Kosova duhet t’i vendosë SANKSIONE Serbisë. Kaq duhet për fillim. Kaq muskuj mund të tregojmë”, ka shkruar ai.

Njëjtë kanë kërkuar edhe përfaqësues tjerë të shoqërisë civile sipas të cilëve që nga paslufta kosova ka blerë mbi 5 miliardë euro mallra nga Serbia ndërsa ka eksportuar shmëfish më pak.

Ata janë të shqetësuar se kosovarët po i injorojnë produktet “made in Kosova”.

Ndonëse Kosova njihet me prodhimin e produkteve të patates të cilat madje ajo i eksporton në vendet tjera sipas të dhënave nga dogana rreth 1 milionë kilogram patate futen nga Serbia në vit.

Qepë, presh, hudhra, qepë të njoma dhe zarzavate të tjera djegëse, të freskëta apo të ftohta vijnë po ashtu nga Serbia në Kosovë.

Gjithashtu edhe mollë, dardhë dhe ftonj, të freskëta kanë hyrë vjet për gjashtë muaj në sasinë e rreth 62 mijë kilogramëve, shkruan Gazeta Fjala.

Me këto produkte të Kosovës ushqehen serbët

Statistikat tregojnë se partneri kryesor i Kosovës mbetet Serbia si për import ashtu edhe për eksport.

Vjet prej janarit deri tani qytetarët e Serbisë kanë ngrënë 216 mijë kilogram arra të Kosovës. 530 mijë kilogramë reçel, e 1 milionë kilogram fruta tjera të freskëta.

Jo vetëm kaq. Të dhënat e Doganave të Kosovës tregojnë se në Kosovë është gatuar edhe një sasi e konsiderueshme e bukës për qytetarët e shtetit fqinjë.

Edhe pse Kosova ka problem ta sigurojë bukën për nevoja të brendshme, në tabelat e eksportit figuron se në Serbi janë eksportuar 176 mijë kilogramë bukë.

Mund të duket e habitshme, por Kosova në Serbi këtë vit ka dërguar edhe banane. Sipas statistikave, bëhet fjalë për 19 mijë kilogram banane, shkruan Gazeta Fjala.

Produkti tjetër që e dominon eksportin me këtë shtet është linjiti. Për 11 muaj Kosova ka eksportuar në shtetin fqinjë 9 milionë kilogramë linjit në vlerë 306 mijë euro.

Në këtë shtet janë eksportuar edhe 2 milionë euro gypa të çelikut. Pastaj më shumë se gjysmë milionë euro radiatorë për ngrohje.

Madje e veqantë është se gjaët këtij viti Kosova në Serbi e ka eksportuar edhe një vinc për anije në vlerë 1,290 euro./Gazeta Fjala/