Tregu kosovar, plot produkte serbe

E publikuar: 07/11/2018 20:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dhjetëfish më i lartë është importi i produkteve serbe në Kosovë, në krahasim me eksportin kosovar në Serbi.

Pjesa më e madhe e produkteve në treg, konsumatorëve iu ofrohen nga ky shtet, raporton KTV.

Në 400 milionë euro për çdo vit arrin shuma e importit të mallrave të ndryshme duke filluar nga industria ushqimore e deri tek ajo ndërtimore.

Por, Kosova në shtetin fqinj eksporton produkte në vlerë vetëm prej 35 milionë euro në vit.

Nëse importi deri në fund të vitit vazhdon me të njëjtin ritëm, do të ketë 5 për qind rritje krahasuar me 2017-n.

As importi i produkteve nga Bosnja në tregun e Kosovës nuk është i vogël, ku nga ky shtet importohen produkte në vlerë prej 80 milionë eurosh.

Vendimin e Qeverisë për masat mbrojtëse ndaj produkteve të prodhuara në Serbi e Bosnjë, e ka mirëpritur Klubi i Prodhuesve të Kosovës.

Sipas tyre, edhe më herët kanë kërkuar që Kosova të sillet si shtet pasi siç thonë, ka pasur produkte të këtyre dy vendeve që në tregun e Kosovës janë shitur më lirë.

 

Dhe, me këtë, ky klub vlerëson se është bërë shkelje e Marrëveshjes së CEFTA-s.

Vllaznim Osmani, Sekretar i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, thotë se ironia më e madhe është kur i është kërkuar përgjigje Serbisë e Bosnjës ata nuk e kanë bërë një gjë të tillë pas që nuk e njohin Kosovën si shtet.

Të kënaqur me vendimin për taksën 10 për qind, janë edhe qytetarët, të cilët thonë se Qeveria qysh moti është dashur të veprojë kështu.

Qeveria e Kosovës kohë pas kohe ka vënë taksa mbrojtëse ndaj importit nga Serbia, por është tërhequr shpejt për shkak të presionit ndërkombëtar.