Tregimi për plakun që e fillon çdo mëngjes duke e përshëndetur Bill Clintonin

E publikuar: 20/09/2017 12:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Hasim Haliti e nis çdo mëngjes duke e përshëndetur ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton.

Haliti e mban në mur pranë shtratit të vet një fotografi tetë vjet të vjetër që i uron ish-presidentit ditëlindjen e 63-t me mbishkrimin “nga populli i Kosovës” në gjuhë angleze dhe shqipe, shkruan WashingtonTimes, përcjell Express.

Mund të jetë e vjetër, por Haliti nuk e ka ndërmend ta heqë atë nga muri apo t’i largojë fotografitë tjera të politikanëve amerikanë dhe gjeneralëve ushtarakë nga fundi i viteve të 1900-ta, të cilat qëndrojnë të varura në muret e kafenesë së tij të vogël afër xhamisë së fshatit në verilindje të Kosovës.

Pak amerikanë kalojnë kah Kërpimeh, fshati i largët me rreth 800 banorë afër kufirit me Serbinë. Por, një dashuri i thellë për Shtetet e Bashkuara, një dashuri i ndritshme prej Administratave Bush, Obama e te ajo Trump, ende është e madhe në vend, si mirënjohje për rolin kritik të SHBA-së në çlirimin e Kosovës nga Serbia para 18 viteve, shkruan më tej Washington Times.

Sondazhet globale tregojnë se vendi i vogël nga Ballkani e ka nivelin më të lartë të aprovimit për lidershipin amerikan. Kjo dashuri pakushte duket se është e palëkundur edhe në një kohë kur imazhi i Amerikës në botë po goditet në mesin e aleatëve tjerë që janë të parehatshëm nga agjenda e Trumpit “Amerika e Para”.

“Si mund të mos e duam Amerikën kur për shkak të saj ne jemi rikthyer në shtëpitë tona?” ka pyetur Haliti, i cili kishte ikur në mal gjatë luftës së viteve 1998-99 me Serbinë, dhe kur ishte kthyer e kishte gjetur kafenenë e djegur nga serbët.

“Ne ishim shumë të lumtur që u rikthyem në shtëpitë tona të djegura dhe për të jetuar nën mbulojë plastike sepse më në fund erdhi paqja. Nuk kishte më të shtëna dhe masakra”, ka shtuar ai