Trashi dhe Seferi: Japim maksimumin për të marrë 3 pikët me Lituaninë

E publikuar: 12/10/2020 17:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dy futbollistët e kombëtares shqiptare të futbollit, Lorenc Trashi dhe Taulant Seferi kanë dhënë sot në Almati të Kazakistanit një prononcim për FSHF.org.

Në prononcimin e tij, Trashi u shpreh se ishte i kënaqur me lojën e tij dhe të grupit, pavarësisht se nuk u arritën 3 pikët. Mesfushori kuqezi theksoi se atmosfera në kombëtare përpara ndeshjes me Lituaninë është e mirë dhe se shpresojnë që të marrin 3 pikët.

Ndërsa Seferi u shpreh i lumtur që kishte marrë ftesë nga kombëtarja dhe theksoi se me të rinjtë që i janë bashkuar kombëtares, kualiteti është rritur.

Shqipëria do të luajë ditën e mërkurë ndeshjen e radhës të vlefshme për Ligën e Kombeve ndaj Lituanisë.

Në fillim ishte Lorenc Trashi ai që iu përgjigj pyetjeve:

– Trashi, si do ta vlerësonit paraqitjen e mbrëmshme ndaj Kazakistanit, qoftë në aspektin individual, qoftë edhe në atë të ekipit?

– Në aspektin individual, mendoj që kam bërë mirë në pjesën e parë. Në pjesën e dytë, nuk u luajt shumë nga krahu i majtë, u përqëndrua më shumë loja nga Veseli. Dhe nuk pata shumë aksione individuale që t’i përfundoja me sukses. Sa i përket grupit, mendoj që ka bërë një ndeshje të mirë. Pavarësisht rezultatit, çdo gjë shkoi mirë dhe dua të them që duhet të shfrytëzonim ato rastet më të pastra dhe t’i kishim finalizuar mirë.

– A jeni i kënaqur që Shqipëria u largua nga kjo ndeshje me 1 pikë dhe si do ta vlerësonit në vija të përgjithshme paraqitjen e lojtarëve debutues që trajneri Reja thirri në këto dy ndeshje?

– Edhe i kënaqur jam, por në fakt ne u futëm në fushë që të merrnim 3 pikët. I patëm të gjitha mundësitë, duke parë se ishim më mirë se ekipi kundërshtar, luajtëm më mirë, patëm më shumë raste. Duhet ta kishim fituar këtë ndeshje por gjithsesi duke parë që do zhvillohen edhe 3 ndeshje të tjera, besoj që edhe një pikë është mirë. Shpresojmë për një fitore me Lituaninë. Në lidhje me lojtarët e rinj që ishin debutues në këtë ndeshje, mendoj se kanë bërë një ndeshje të mirë, si Broja, Kallaku. Edhe komentet pas ndeshjes kanë qenë pozitive. Shpresoj që të vazhdojnë me këto ritme dhe kombëtarja besoj se ka fituar dy lojtarë shumë të mirë.

– Si e shikon situatën para ndeshjes me Lituaninë? Si është humori i djemve? Cili është objektivi i kuqezinjve në këtë sfidë të radhës?

– E përgjithshmja është mirë. Kur ka mbaruar ndeshja me Kazakistanin, pas ndeshjes çdo gjë ka qenë në rregull. Në dhomat e ndeshjes kemi folur me njëri-tjetrin dhe kemi përgëzuar për lojën që bënë çunat. Kemi thënë që duhet të jemi me kokën lart pasi janë edhe ndeshjet e tjera dhe duhet të jemi të përqëndruar maksimalisht që të marrim maksimumin e pikëve.

Më tej, ishte radha e Taulant Seferit të jepte vlerësimet e tij për dy ndeshjet e tetorit:

– Taulant, pas debutimit të parë të nëntorit të 2019 me ekipin A, mund të na thoni si u ndjetë kur trajneri ju përzgjodhi për të hyrë në fushë?

– Çdo herë është kënaqësi kur ftohesh nga kombëtarja e madhe dhe çdo herë ndihem i lumtur dhe krenar që vij këtu. Mendoj që në ato minuta që u futa, bëra mirë, vetëm se nuk kisha fat. Shpresoj që të vazhdoj kështu, duke punuar fort dhe duke qenë pjesë e kombëtares.

– Duke parë paraqitjen e mirë që bëre në ato minuta që luajte, mendon se ke shanse për të luajtur në formacion titullar në ndeshjen ndaj Lituanisë?

– Çdo herë punoj fort që të jem në formacionin e parë pasi besoj se çdo lojtar ka dëshirë të jetë titullar. Por në fund të fundit do vendosë trajneri se kush do luajë dhe kush do jetë në stol. Unë do jem çdo herë i gatshëm për kombëtaren.

– Si i shikon shanset e Shqipërisë për t’u renditur e para në grupin tonë? Duke parë edhe prurjet e reja së fundmi, sa larg mendoni se mund të shkojë kjo skuadër?

– Unë kam shumë besim te grupi ynë i ri sepse kemi gati një javë së bashku dhe shoh se atmosfera është shumë e mirë me çunat e rinj që kanë ardhur. Ka shumë kualitet në këtë skuadër dhe shpresoj e mendoj se do japim maksimumin tonë dhe shpresojmë se do dalim të parët në grup. Kemi skuadër me kualitet dhe shpresoj që në fund t’i arrijmë objektivat tona.