Trashëgimitë dhe atraksionet e Kosovës, vizitohen nga tur- operatorët e huaj

E publikuar: 05/05/2016 11:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Trashëgimitë dhe atraksionet e Kosovës, vizitohen nga tur- operatorët e huaj

Përfaqësues të mediave dhe agjencive ndërkombëtare të specializuara në turizmin aventurier po qëndrojnë në Kosovë gjatë udhëtimit familjarizues “FAM Trip”, i cili po zhvillohet në kuadër të konferencës rajonale të turizmit aventurier “Adventure Next Balkan 2016”.

Me mbështetjen e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), përkatësisht Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) dhe në bashkëpunim me USAID Empower projekt, Kosova përfaqësohet në këtë konferencë si shtet partner.

Në kuadër të konferencës, Kosova ka organizuar tri udhëtime familjarizuese për mediat dhe operatorët ndërkombëtarë të cilët po e vizitojnë vendin tonë (nga data 5 deri 9 maj si dhe nga 13 deri 17 maj 2016). Udhëtimet familjarizuese apo siç njihen ndryshe “FAM trip” janë organizuar nga katër tur-operatorë lokalë.

Përfaqësuesit e agjencive turistike të huaja dhe mediave ndërkombëtare gjatë qëndrimit në Kosovë do të jenë të ndara në grupe dhe do të ndalojnë në disa pika turistike të vendit.
Gjatë pesë ditëve në vijim, grupet do të bëjnë shëtitje me biçikleta, hiking, do të vizitojnë manastire, xhami, rrënoja të lashta, fshatra si dhe do të shijojnë gatime tradicionale etj.
Itinerari i grupit të parë do të fillojë nga Prishtina, për të vazhduar në Novobërdë, Pejë, Deçan, Prizren, Sharr dhe për të përfunduar në Maqedoni.
Grupi i dytë do të fillojë në rajonin e Dukagjinit për t’u ndërlidhë me pjesën e Valbonës së Shqipërisë. Grupi i tretë do të vizitojë terrene për hiking si dhe do të shijojë kuzhinën tradicionale.

Pas turneut familjarizues “Fam trip” në Kosovë, pjesëmarrësit do të vazhdojnë me aktivitete të tjera në konferencën rajonale për turizëm avanturier “Adventure Next Balkan 2016”, që do të organizohen në Ohër të Maqedonisë në mes datave 10-12 maj.
Kjo ngjarje, përveç tur-operatorëve dhe gazetarëve ndërkombëtarë, mbledh edhe tur-operatorë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Bosnja Hercegovina, Kroacia, Bullgaria, Mali i zi, Rumania, Serbia, Sllovenia dhe Turqia.

Konferenca është vazhdimësi e Javës së Aventurës (Adventure Week) të cilën KIESA, bashkë me Adventure Travel Trade Association (ATTA) nga SHBA-të dhe me dy vendet e rajonit, Shqipërinë dhe Maqedoninë, kanë organizuar në gusht të vitit 2014.